Kryeministri Edi Rama ka kujtuar këtë të enjte aktorin Ndrek Luca, në përvjetorin e tij të lindjes. Mes të tjerash, kryeministri thekson se “aktorit i që lloi të jetonte kur jeta shqiptare ishte bardhezi dhe artistët ishin gurë në lojën e paracaktuar të asaj jete”.
Megjithatë, vijon Rama, rolet e Ndrek Lucës ngjajnë sot e gjithë ditën si shkëlqimet xixëlluese mbi atë mushamanë e zezë në anijen e një kohe të vd ekur.
Mesazhi i Ramës:
HOMAZH
NDREK LUCA hyn tek korifejtë e kinemasë sonë, prej kohës kur bardhezi ishte jeta jo vetëm filmat, e kur edhe ne spektatorët ishim të gjithë në role të paracaktuara, të bardhët dhe të zinjtë. Qysh në lindje ishim njerëz brenda kuadrateve të shtëpive njësoj dhe figura jashtë kuadratit të shtëpisë, ku luhej përditë një shah allasoj, që kishte një parim të thjeshtë, të bardhët fitonin dhe të zinjtë humbnin. Njerëz me botën tonë të brendshme dhe ushtarë, kuaj, oficerë, në sytë e botës jashtë nesh.
Filmat bëheshin për të na kujtuar kuadratin, në errësirën e kinemasë ku asnjë prej nesh nuk dukej, njësoj si bota jonë e brendshme, po ku syri që na kontrollonte kudo të gjithëve fuste në të, në brendësinë e mendjes e të shpirtit tonë, dritën e tij diktuese, formuese, hetuese, përmes lojës me historitë, personazhet, aktorët e paguar nga shteti për të argëtuar e farkëtuar ushtarët e vet.
Çfarë aktori! Dhe sa gjynah që i qëlloi të jetonte kur jeta shqiptare ishte bardhezi dhe artistët ishin gurë në lojën e paracaktuar të asaj jete. Sidoqoftë, rolet e Ndrek Lucës ngjajnë sot e gjithë ditën si shkëlqimet xixëlluese mbi atë mushamanë e zezë në anijen e një kohe të vdekur. Dhe tamam sot, në përvjetorin e lindjes e kujtoj si një nga heronjtë e përrallave të fëmijërisë.