Një i moshuar italian ka humbur jetën në Shqipëri vetëm pak minuta pasi kishte vendosur një implant dentar. Lajmin bën me dije presidenti i Shoqatës Kombëtare të Stomatologëve Italianë (Andi) të Barit dhe Bat, Fabio De Pascalis.
Ai paralajmëron italianët të mos joshen nga shërbimet dentare me kosto të ulët jashtë vendit, pasi sipas tij mund të kenë rrezikshmëri të lartë.
71-vjeçari Agostino Sellitri kishte ardhur në vendin tonë për të vendosur implantin dentar, por pas ndërhyrjes së mjekëve, ai pësoi sulm në zemër dhe nuk mundi t’i mbijetojë.
“Premtimet për ndërhyrje dentare me kosto të ulët fshehin gracka dhe rreziqe që nuk mund të anashkalohen”, thotë dentisti.
“Rreth korrelacioneve dhe implikimeve që mund të ketë shkaktuar ndërhyrja – shton ai – e ndjej për detyrë, në emrin tim dhe të të gjithë kolegëve të mi, të bëj thirrje për kujdes dhe vëmendje kur vendosni të ndërmerrni një udhëtim për turizmin dentar”.
Kjo nuk është hera e parë që pacientët shqiptarë apo të huaj bien viktimë e papërgjegjshmërisë dhe mungesës së profesionalizmit të klinikave tona.