Një nga emrat më të lakuar të gazetarisë shqiptare, që “gozhdoi ” para televizionit shqiptarët për orë të tëra është Aida Shtino. Shtino, u bë mjaft e njohur për publikun shqiptar me emisionin “Njerëz të humbur”.
E ftuar sonte, në televizionin Ora News, Aida rrëfen eksperiencën e saj televizive, emocionet dhe rikthimin e saj me projektin e fundit “Identitet”.
Gazetarja Shtino bëri një retrospektivë në kohë të gjithë karrierës së saj, ajo e nisi që nga fillimet e para e deri në projektin aktual, që është moderimi i emisionit “Identitet”.
Në hyrje të emisionit ” Jeto me Orën” rrëfeu kujtimet e saj, ku u shpreh se: “-Teksa ngjisja shkallët kujtova emisionin tim të parë “Ku je?” dhe e kam nisur transmetimin e parë televiziv në të njëjtën studio, që dikur ishte televizioni Telenorba”. Shtino u ndal në eksperiencën e gjatë televizive “Njerëz të humbur”, ku u shpreh se ishte fatlume që i kishte provuar emocione të tilla.
“Gjetja e personave të humbur ishte një mision për mua”, shton Shtino.
“Punonim me orë të tëra, deri në orët e para të mëngjesit. Ishte pasioni që na bënte bashkë dhe dëshira për të ribashkuar njerëzit. I tërë stafi kishim një vullnet dhe përfshiheshim në emocione dhe të qarat tona nuk kishin të sosur dhe emocione të tilla nuk fshiheshin dot”.
Për më tepër, Aida Shtino na zbulon edhe një “sekret të punës” që emisionet e saj kanë patur sukses.
“Ne punonim si një skuadër. Punoja me gazetarë studentë dhe doja që ato të mësonin gazetarinë e vërtetë larg doktrinave universitare. Doja të përballeshin me të vërtetën,të papriturën e të ishin të gatshëm. Edhe sot, në “Identitet” kemi një klimë bashkëpunuese me një staf të tërë.” Ndër të tjera, shtoi se, “Pa stafin tim “Identitet” nuk do mund të ngjisja male e të sillja te shqiptarët identitetin e vërtetë të kombit tonë.
Shtino nuk lë pa nënvizuar emocionet e saj për projektin e ri “Identitet”, “-Ne po punojmë fort, është vetëm fillimi dhe kam besim që do ketë rrugëtim të gjatë.”
Në fund të intervistës, u shpreh se “-Gjithmonë jam në kërkim të së vërtetës, të pathënave dhe mistereve që na fshihen në kohë.
Emocionet janë të papërshkrueshme, sidomos pas një shkëputje të gjatë televizive e tashmë të jesh sërish në televizion. Kësaj here në terren. Pasi aty njihet gazetaria e vërtetë,” përfundon intervistën e saj Shtino.