Një fëmijë gjeni, i cili e mësoi veten të lexonte në moshën dy vjeçare, është bërë anëtari më i ri i Mensa-s në Britani (një organizatë që mbështet fëmijët shumë të aftë). Teddy Hobbs tashmë mund të lexojë libra të Harry Potter dhe të numërojë deri në 100 në gjashtë gjuhë të tjera, duke përfshirë mandarin, uellsisht, frëngjisht, spanjisht dhe gjermanisht.
Vogëlushi, i cili lindi përmes IVF, u pranua në organizatën elitare në moshën tre vjeç e nëntë muaj vitin e kaluar pasi shënoi 139 në një test IQ. Prindërit Beth dhe Will Hobbs, nga Portishead, Somerset, nuk e kishin idenë se sa i zgjuar ishte Teddy. Beth, 31 vjeç, tha: “Ne bëmë një test IQ, i thamë se do të ulej dhe do të bënte disa enigma me një zonjë për një orë, dhe ai mendoi se ishte gjëja më e mrekullueshme. Pasi ai e përfundoi atë, na thanë se ai kishte të drejtë të bashkohet në Mensa-s.
Nëna e tij tregon gjithashtu se Teddy nuk ka interes për lojërat apo tv, por të zgjidhë ushtrime dhe sfida të ndryshme. Gjithashtu Teddy kujton edhe bisedat që kanë bërë vitin e kaluar për Krishtlindje. Ai nuk dëshiron të luajë, por ka dëshirë të përdorë aplikacione që e mësojnë të numërojë deri në 100 në shumë gjuhë të ndryshme.
Prindërit e Tedit po përpiqen ta mbajnë atë “të përulur” pavarësisht inteligjencës së tij, për ta parandaluar atë të zhvillojë çdo lloj “kompleksi superioriteti”.
Tani 4 vjeç, Teddy me sa duket nuk është në dijeni se sa i talentuar është në krahasim me fëmijët e tjerë të moshës së tij.
Beth shtoi: Miqtë e tij mund të lexojnë disa shkronja të alfabetit, ndërkohë ai mund të lexojë Harry Potter. Më kujtohet që një ditë e çova në çerdhe dhe i thashë se ai ka mësuar vetë të lexonte dhe askush nuk më besoi në fillim. Natyrisht ne nuk e lejojmë atë të lexojë Harry Potter, ne zgjedhim libra më të përshtatshëm emocionalisht, por ai në thelb është në fazën ku mund të lexojë çdo gjë që i vendosim përpara”, ka thënë nëna e tij Beth.