Kur heshtja flet më shumë se fjalët….Kjo është historia e Lidia Capës, piktores së talentuar e cila nuk mund të flas me fjalë por me shpirt. Lidia është shurdhmemece po ashtu edhe bashkëshorti dhe dy fëmijët e saj, as nuk mund të flasin dhe as nuk mund të dëgjojnë.
Por kjo është një histori që përfshin tre breze, që tashmë flasin përmes heshtjes. Mamaja e Lidias tregon për emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv, se edhe bashkëshorti i saj kishte të njëjtin kufizim duke ia trashëguar edhe Lidias, por bashkë me të, i trashëgoi edhe talentin për pikturën.
“Lidia Capa është vajza ime, është me probleme që nuk dëgjon dhe flet ndërkohë ka dhe dy fëmijët që nuk flasin, ka edhe bashkëshortin. Dhe unë e kisha bashkëshortin që nuk fliste, dhe ai ishte skulptor, ndërkohë dhe Lidia e ka trashëguar nga ai talentin. Unë e kuptova e para talentin e Lidias dhe i thashë njerëzve të shtëpisë që Lidia ka talent në vizatim, dhe do ta ndjekim që të eci më lart. Ne e ndoqëm dhe mori dhe masterin, dhe bëmë lu ftë që të vazhdojë si mësuese tek fëmijët që kanë këto probleme” tregon ajo.
Znj. Venka, halla e Lidias, e pandarë nga mbesa e saj i qëndron gjithmonë në krahë jo vetëm si interprete por edhe duke e mbështetur atë në ëndrrat dhe dëshirat e saj. Gjatë intervistës në “Rreze Dielli’’, ajo tregon përmes fjalëve, atë që Lidia ia shpjegon me gjuhën e shenjave.
“Me Lidian ndjehem si e plotësuar duke menduar që gjysmat e ëndrrave të mia që nuk i kam realizuar, kam dashur t’i realizoj tek Lidia. Duke parë dhe dëshirën e saj si artiste, ku jepte më shumë, unë e merrja nëpër shoqatat ku isha vet dhe me ndihmën e shoqeve të mia, e ndihmonin që të vazhdonte” thotë ajo.
Në këtë shtëpi të madhe, jetojnë dy kunatat, vjehrra dhe Lidia me bashkëshortin e fëmijët e saj. Venka tregon më tepër se si kanë qenë marrëdhëniet ndër vite, në një familje të madhe e në një shtëpi plot me njerëz.