Është viti 1989. Në nëntor rrëzohet Muri i Berlinit. Angela Merkel është tridhjetë e pesë vjeçe, ka doktoruar në shkencat e natyrës.
Ajo punon në Institutin Qendror të Kimisë Fizike, i cili i përket Akademisë së Shkencave të RDGJ. Shkencëtarja e re jeton në Berlin dhe sapo është divorcuar. Në krah të saj është partneri i ri, shkencëtari i kimisë kuantike Joachim Sauer, me të cilin ajo do të martohet nëntë vjet më pas.
Katër ditë pas rënies së Murit të Berlinit, me ftesë të një kolegu polak, Merkel udhëtoi drejt vendit fqinj. “Ajo erdhi me tren në Torunj. Unë e prita tek stacioni i trenit. Mbajti një referat dhe qëndroi në shtëpinë tonë. Biseduam për gjëra të ndryshme, për politikën dhe ëndrrat tona që po bëhen realitet,” kujton Jacek Karwowski, profesor në pension i mekanikës kuantike në Universitetin Nicolaus Copernicus në Torunj.
„E kam pritur tërë jetën“
Ai e ka ende divanin në të cilin ishte ulur Angela Merkel atëherë. “Po pinim çaj ose kafe dhe në televizion shfaqeshin pamje nga Muri i Berlinit, të cilin njerëzit e thyenin me çekanë. Angela shikonte me lot në sy. “Tani po ndodh. Kam gjithë jetën që e pres dhe gjithçka po ndodh atje ndërkohë që unë jam këtu ‘”, tregon Karwowski.
Vite më vonë, Merkel, tashmë kryetare e CDU, do të tregonte se si kolegët e saj polakë kishin “mbetur të shtangur”, sepse ajo nuk kishte qëndruar në Gjermani, në atë kohë që gjithçka ishte aq emocionuese. “Ata më thanë se në vizitën e tyre të ardhshme në Berlin, Gjermania mund të ishte ribashkuar. Kjo më la mua pa fjalë, gjithsesi më hapi sytë. Për ne, rënia e Murit ishte aq mbresëlënëse sa, ndryshe prej tyre, na u desh shumë kohë të kuptonin pasojat e saj”, tha ajo për “Berliner Morgenpost” në 2003.
Në vitin 1989 Merkel dhe Karwowski njihen tashmë prej disa vitesh. Ajo që i lidh ata është shkenca, por edhe ëndrrat e përbashkëta për të cilat ata flasin gjatë takimeve të shkencëtarëve në Liqenin Bachotek. Kimistët kuantikë takohen atje rregullisht në kampe verore në Universitetin e Torunjit. Merkel ka qenë aty në vitin 1985, 1987 dhe 1989, kujton Karwowski. Merkel ka qenë edhe në Poloni më 4 qershor 1989, kur atje u mbajtën zgjedhjet e para, pjesërisht të lira, të gjithë Bllokut Lindor që ishte nën sundimin sovjetik. “Në një farë mënyre, kjo datë shënoi një pikë kthese në biografinë time,” do të thoshte Merkel më vonë.
Në Bachotek të gjithë ndihen të lirë, nuk i censurojnë fjalët e tyre. Kur nuk flasin për shkencë, diskutojnë për politikë. Më vonë Merkel thotë se ka ruajtur kujtime të bukura nga takimet. Ne nuk ishim revolucionarë, tregon Jacek Karwowski. “Për ne ishte e qartë që duhej të kishte një ndryshim të natyrshëm të sistemit,” thekson ai.
Një tjetër pjesëmarrës i kampit veror, Grzegorz Chałasiński, vëren se Merkel dhe partneri i saj Joachim Sauer e njihnin mirë lëvizjen polake Solidarność. “Ata shpresonin që diçka e mirë do të vinte prej saj. Të gjithë donim që ky makth i RDGJ-së dhe Republikës Popullore Polake të mbaronte”, kujton profesori i kimisë.