Tirana po bëhet gjithnjë e më pak e përballueshme për shkak të çmimeve të qirave dhe blerjes së apartamenteve kryesisht, pasi rezultojnë më të lartat në rajon.
Këtë e konfirmojnë edhe të dhënat e fundit të Indeksit të çmimit të Pasurive të paluajtshme për vitin 2020, që e rendit Shqipërinë të tretën në Europë si më e shtrenjta për të blerë një pronë, pas Serbisë dhe Republikës Çeke.
Kështu, me një indeks prej 14.8 rezulton se një familjeje shqiptare i duhet rreth 15 vjet për të blerë një apartament në kryeqytet.
Por, ekspertët e pasurive të paluajtshme shpjegojnë se kjo mund të zgjasë edhe më shumë vite, për shkak të rritjes së lartë të çmimeve dhe të ardhurave të pakta të shqiptarëve.
“Blerësit e tyre sigurisht janë më të paktë në numër. Mund të jenë biznesmenë, individë me të ardhura shumë të larta apo pse jo edhe emigrantë që duan të investojnë të ardhurat e tyre duke blerë një pronë.”, tha Ilda Baraj.