Kanionet e Nivicës janë një tjetër pasuri natyrore dhe destinacion turistik në vendin tonë.
Zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Ornela Çuçi publikoi sot disa foto nga këto kanione, ndërsa nënvizoi se janë një mrekulli që duhet me patjetër të vizitohen nga turistët vendas e të huaj.
“Kanionet e Nivicës janë një mrekulli natyrore, dhe ndër kanionet më të bukura që kemi. Ato fillojnë në krye të fshatit Nivicë dhe kanë një gjatësi të përgjithshme rreth 7 km. Kanionet zgjerohen në drejtim të fshatit Lekdush, poshtë tij.
Pjesa më e ngushtë e kanioneve shtrihet poshtë fshatit Nivicë me një gjatësi rreth 3 km. Gjerësia e kanioneve varjon nga 2-3 m në fillimet e tyre dhe vijnë duke u zgjeruar përgjatë rrjedhës me një gjerësi që shkon rreth 1000 metër. Rrjedha e ujit ka krijuar vaska uji, ujëvara e shpella interesante si psh : shpella me qiell”,- thekson Çuçi.