Shkolla 9-vjeçare “Ali Laçej” do të ketë një terren tërësisht të ri sportiv që do të jetë në funksion të nxënësve për zhvillimin e orëve të edukimit fizik, por edhe për komunitetin e zonës në orët e pasdrekës.
Ky investim që i dhurohet Bashkisë Shkodër, vjen nga fondacioni i modeles shkodrane, por me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Angela Martini, e cila ka zgjedhur lagjen ku ka jetuar për të dhënë një shembull tejet pozitiv.
Kompleksi sportiv shumëdimensional do të jetë ndër më modernet dhe me sistem ndriçimi për zhvillimin e lojërave edhe në orët e mbrëmjes.
“E falenderoj publikisht fondacionin Angela Martini se ka zgjedhur një nga lagjet ku është rritur dhe besoj se do t’i shërbejë jo vetëm shkollës Ali Laçej, por të gjithëve.
Falenderoj të gjithë ata që bënë të mundur që t’i jepet dicka komunitetit tonë. Dëshira jonë është t’i shërbejmë rinisë që të merret me sport”, tha Alban Hasani, përgjegjës i drejtorisë së kulturës, arsimit, rinisë dhe sporteve në Bashkinë Shkodër.