Ushqime

Ka shije aq të mirë dhe aq shumë shijon/ Kjo është receta ideale për të bërë bukën vetë

Dashamirësit e puergatitjes së bukës në shtëpi janë gjithnjë në kërkim të recetave të reja dhe përditësimit të atyre aktuale për të sjellë në tryezë gatime sa më të mira e të shëndetshme.

Buka e bërë vetë e mbush shtëpinë me aromë shumë të këndshme dhe bashkon të gjithë familjen.

Në këtë recetë të AgroWeb.org do të mësoni se si të përgatisni bukën e fshatit në shtëpi në mënyrë të shëndetshme.

Përbërësit
1 pako maja e thatë

1 lugë çaji me sheqer

3 filxhanë (çaji) me miell të bardhë

1 gotë me ujë

1 lugë e gjysmë çaji me kripë

2-3 lugë gjelle me vaj ulliri

Miell të bardhë shtesë për punimin e brumit.

Përgatitja
Merrni një tas të një madhësie mesatare dhe hidhni në të majanë, sheqerin, treçerek filxhan çaji me miell dhe ujin.

Përziejini mirë së bashku duke përdorur një lugë druri.

Në këtë pikë, brumi do të bëhet i hollë.

Lejeni brumin në tas në një vend të ngrohtë dhe mos e mbuloni.

Prisni deri sa brumi të jetë disi i shkumëzuar.

Nëse dëshironi që buka të ketë shijen e brumit të ardhur, atëherë lëreni atë mënjanë për deri në 2 orë.

Më pas përzieni pjesën e mbetur të miellit me kripën me një lugë druri dhe shtoni pjesën e brumit me maja.

Kur brumi të lidhet fort, atëherë në banakun e pastër hidhni miell dhe punojeni brumin me dorë për rreth pesë minuta.

Herë pas here shtoni sasi të vogla mielli deri sa brumi të jetë i butë por jo i ngjitshëm.

Merrni një tepsi dhe lyejeni lehtë me vaj.

Vendoseni brumin e bukës në qendër të tepsisë dhe sipërfaqen e sipërme të saj lyejeni me vaj.

Tepsinë mbulojeni me një qese plastike dhe sipër saj vendosni një peshqir të pastër.

Lëreni brumin të vijë për të paktën dy orë , në varësi të temperaturës së ambientit.

Kthejeni brumin sërish në banakun e lyer me miell dhe punojeni me duar për 2 minuta.

Në këtë pikë, brumi duhet të jetë shumë elastik.

Jepini brumin formën rrethore ose atë që preferoni, lyejeni sipërfaqen me vaj ulliri dhe vendoseni mbi një letër pjekjeje.

Lëreni mënjanë përreth 1 orë deri sa masa e brumit të dyfishohet.

Kur buka të jetë gati për pjekje, ndizeni furrën në 200 °C.

Lyejeni sipërfaqen e saj me pak ujë dhe futeni në furrë për ta pjekur për rreth 30 minuta.

Hiqeni nga furra dhe spërkateni me pak ujë dhe më pas futeni sërish në furrë për t’u pjekur për 15 minuta të tjera.

Hiqeni përfundimisht nga furra dhe lëreni të ftohet për 5 minuta përpara se ta prisni në feta./AgroWeb.org

MË TË LEXUARAT

To Top