Elina Xhengo është sportistja me origjinë shqiptare që fitoi medalje ari në shtizë për Greqinë. Prej disa ditësh mediat greke raportojnë për suksesin e saj.
Në një intervistë që ka dhënë për televizionin Antena, e pyetur se çfarë është Greqia për të, Elina ka dhënë këtë përgjigje.
“Është vendi im. Kam lindur dhe jam rritur këtu. Njëkohësisht pranoj faktin që jam edhe nga Shqipëria, ndiej që jam nga Shqipëria, prindërit e mi janë andej, të afërmit e mi janë nga Shqipëria”.
E pyetur më tej nëse ka ndjerë racizëm për shkak të origjinës së saj, Elina Xhengo ka thënë që jo. “Përgjithësisht njerëzit në fshatin ku unë jam rritur më duan shumë dhe s’kam pasur probleme”, shprehet 19-vjeçarja.
Ajo pohoi gjithashtu se ndihet shumë mirë të thotë se është edhe nga Greqia edhe nga Shqipëria dhe se kjo nuk është dicka e keqe.
Kujtojmë se në kampionatin e fundit Europian të Atletikës që u mbajt pak ditë më parë në Mynih, dy shqiptaret, Elina Xhengo dhe Luiza Gega fituan medaljet e arta në disiplinat e tyre.