Lideri i Kremlinit, Vladimir Putin, ka dy djem. Gazeta zvicerane Sonntagszeitung shkruan se Putin i ka dy djemtë nga lidhja me të dashurën e tij Alina Kabaeva. Sipas gazetës, Alina praktikisht jeton si të ishte Zonja e Parë e Rusisë.
Edhe pse zyrtarisht nuk është e martuar me presidentin rus, Putin i ka caktuar një skuadër me truproja, në mënyrë që të jetë gjithmonë e sigurt.
Presidenti njeh zyrtarisht dy vajzat që ka me ish-bashkëshorten Lyudmila Ocheretnaya, me të cilën u divorcua në vitin 2013, ndërsa raportohet se ka ruajtur të fshehtë marrëdhënien me Kabaevën dhe fëmijët që kanë lindur si rezultat i lidhjes.
Sipas Sonntagszeitung, njëri prej djemve ka lindur në Zvicër në vitin 2015, ndërsa tjetri në vitin 2019 në Rusi. Ky raportim bie ndesh me lajmet e publikuara më parë se Putin dhe kampionia olimpike janë bërë me binjakë në vitin 2018.
Mjekja e cituar nga gazeta zvicerane punon në klinikën Sant’Anna, në pjesën italiane të Zvicrës, ku edhe lindi djali i madh. Ajo më pas udhëtoi për në Moskë për të ndihmuar Kabaevën të lindte edhe djalin e dytë.
Që prej pushtimit të Ukrainës, janë publikuar lajme të ndryshme në mediat ndërkombëtare, sipas të cilave, Kabaeva fshihet pikërisht në Zvicër. Ajo raportohet të ketë udhëtuar shpesh në këtë shtet, që prej nisjes së lidhjes me Putin në vitin 2007, dhe presidenti rus e ka zgjedhur si vendin më të sigurt për të dhe fëmijët e tij.
Raportime të tjera flasin për fshehjen e familjes së Putin në Siberi.