Turshitë e përziera janë krenaria e amvisave shqiptare. Fundi i vjeshtës shoqërohet me një larmi perimesh të freskëta të cilat mund të përgatiten turshi për t’u konsumuar gjatë stinës së dimrit.
Në vendin tonë, çdo perime mund të bëhet turshi, duke nisur nga kastravecat, lakrat, specat, karrotat, lulelakrat, hudhrat, patëllxhanët, domatet jeshile.
Turshi mund të bëhet edhe panxhari, qepët apo misri.
Turshitë konsumohen gjërësisht gjatë dimrit dhe janë një antipastë shoqëruese e shijshme e fasuleve apo orizit.
Përgatitja e turshive nis me përzgjedhjen e enës.
Zakonisht turshitë bëhen në kavanozë të përmasave të ndryshme në varësi të perimes.
Në rastin e turshisë së lakrës dhe domates, shumë amvisa zgjedhin edhe enë më të mëdha.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i përgatitjes së turshisë është freskia.
Perimet për turshi duhet të jenë të freskëta dhe të forta.
Elementët e tjerë të rëndësishëm të turshisë janë kripa e fortë, barishtet dhe erëzat, veçanërisht piperi kokërr.
Turshi të përziera në shtëpi
Përbërësit:
2 kg domate,
1/2kg kastraveca të vegjël,
1 kg speca jeshilë,
1 kg karrota,
1 lulelakër,
1 lakër,
5 litra ujë,
2 filxhanë çaji uthull
2 filxhan çaji kripë të fortë
piper të zi kokërr,
gjethe dafine dhe hudhra
Erëza si kopër apo majdanoz sipas dëshirës
Përgatitja:
Lajini perimet mirë me ujë të ftohtë e të bollshëm.
Mbushini kavanozët me perime të copëtuara dhe ngjeshini me njëra tjetrën.
Hidhuni sipër kripën e fortë dhe uthullën.
Shtoni hudhrën, piperin dhe dafinën.
Mbulojini perimet me ujë.
Sipër shtoni pak majdanoz dhe mbylleni kapakun fort.
Kavanozët ose enët e përzgjedhura duhen ruajtur për 40 ditë në një vend të freskët dhe në errësirë.
Turshitë janë bërë kur nisin të ndryshojnë ngjyrë.
Pas 40 ditëve hapini turshitë dhe mund t’i konsumoni.
Pjata me turshi plotësohet me vaj ulliri./AgroWeb.org