Leximi

Kështu festohej Viti i Ri në vitet 1990, që nga bërja e bakllavasë me gratë e pallatit e deri tek zbukurimet me letra

Nga ZHAKLIN LEKATARI: Ndalimi i fesë në Shqipëri kufizoi festat e fundvitit duke i fokusuar ato thjesht te nata e ndërrimit të viteve, apo Viti i Ri.

Krishtlindja nuk festohej më, kështu që gjithë vëmendja ishte përqendruar në datën 31 dhjetor. Barra më e madhe u binte amvisave, të cilat duhet të shkonin në punë dhe të gatuanin darkën. Shumë prej jush e mbajnë mend periudhën përgatitore që përfshinte gjetjen e bredhit të vërtetë, aromën e sobës së ndezur, shiritat prej letre, bora prej pambuku në dritare, aroma e gjelit të detit dhe petët e bakllavasë të shtrira nëpër divane për tharje. Rikujtojmë bashkë ritualet e vogla që çdo familje kryente për të festuar natën e ndërrimit të viteve gjatë dikt aturës.

Pazaret e duhura

E veçanta e ditëve të fundvititi ka qenë mënyra si gumëzhinte qyteti deri në orët e vona plot me njerëz që nxitonin të blinin gjërat e fundit që iu mungonin. Dyqanet dhe aktivitete kanë qenë plot me radhë dhe me pjesëtarët e familjes me detyrat e dhëna për blerje, qoftë dhe bukë duke parë që çdo gjë mbyllej më pas për dy ditë.

Pastrimi me themel i shtëpisë

Nëse gjatë kohës së diktaturës ke qenë fëmijë i mban mend ato mëngjeset e ftohta kur çdo dritare ishte e shpalosur sepse fillonte ajrosja. Perde, dritare, tapete, çarçafë, bufe, dollapë, çdo gjë duhet të ishte e pastër dhe xixë që Viti i Ri të ishte sa më i mbarë.

Përgatitja e bredhit

Blerja apo gjetja e bredhit ka qenë një ritual i rëndësishëm për të cilin mendohej që në fillim të dhjetorit. Fëmijët e familjes zbatonin të gjitha njohuritë e mësuara në lëndën e “Punës së dorës” dhe fillonte gara për të ndërtuar shiritat, yjet apo kartolinat më të bukura për Vit të Ri. Nëse ishe me fat mami do të lejonte që me vinovil të vendosje dhe të krijoje shkrime edhe në dritare. Ata që nuk siguronin dot bredhin, zbukuronin shqiponjën ose fikusin që mbanin në kuzhinë.

Programacioni i Viti të Ri

Në atë kohë kishte pak televizorë dhe ka ndodhur shpesh që Viti i Ri të festohej me komshinjtë pranë mjetit të vetëm komunikues që na ka shoqëruar në ato vite të gjata. Të ulur në tavolina në pritje të orës 12 ndiqej Koncerti i madh i Vitit të ri një program me këngë, valle e humor që vazhdonte deri në orë 2 pas mesnate.

Shëtitja pas mesnate

E nëse orët e fundit të vitit dhe të ditës do e gjenin qytetin të qetë të ndriçuar vetëm nga zbukurimet e dritave, orët e para të mesnatës do e gjallëronin përsëri atë. Ka qenë dhe është ende një traditë që orët e para të mëngjesit të dilje në shesh për të festuar më të tjerët. Urimet, këngët dhe gëzimi i festës bashkonin familjarë të rinj dhe të reja të cilët në mënyrë pasionante por të pa organizuar i jepnin një tjetër ritëm festës.

MË TË LEXUARAT

To Top