Kek me vanilje, çokollatë, fruta apo dhe me arra e bajame, të gjithë mund t’i përgatisni nëse dini këtë recetë.
Do të surprizoni të gjithë duke përgatitur një ëmbëlsirë të re çdo herë, por sekretin do ta dini vetëm ju.
Me një brumë të vetëm mund të përgatisni çdo lloj keku që dëshironi.
AgroWeb.org ju tregon recetën e thjeshtë për brumin bazë të kekut që ju lejon të fantazoni për çdo kombinim.
Përbërësit
250 g gjalpë
250 g sheqer
4 vezë të plota
2 të verdha vezësh
1 lugë gjelle me vanilje (nëse dëshironi)
360 g miell
Gjysmë luge çaji me kripë
1 lugë gjelle me sodë buke
380 g me qumësht
Përbërësit
Si fillim AgroWeb.org ju këshillon që të gjithë përbërësit t’i keni nxjerrë nga frigoriferi, pasi duhen të jenë në temperaturë ambienti.
Gjalpi duhet të jetë aq i zbutur sa të mund të shtypet me gisht.
Në një tas të madh, duke përdorur rrahësin elektrik, përzieni gjalpin dhe sheqerin.
Kremi që do të krijohet do të ketë ngjyrë të verdhë të lehtë dhe do jetë i plotë.
Shtoni katër vezët e plota dhe dy të verdhat. Kini kujdes që t’i shtoni një e nga një.
Gjithmonë duke pritur derisa njëra vezë të jetë përzierë mirë me masën e sheqerit dhe gjalpit, pastaj të shtoni tjetrën.
HIdhni vaniljen dhe përsëri përzjejeni me rrahësin elektrik.
AgroWeb.org ju sugjeron që të merrni një tas tjetër dhe të bashkoni miellin, sodën e bukës dhe kripën.
Duke e vendosur shpejtësinë e rrahësit elektrik tek më e ulëta, filloni ta shtoni miellin tek kremi me vezë, gjalpë dhe sheqer.
Që ta keni më të lehtë përzierjen e brumit, ndajeni masën e miellit në tri pjesë.
Kështu nuk do t’ju krijohen as kokrriza dhe masa do të jetë e njëtrajtshme.
Pas pjesës së parë të miellit shtoni pak qumësht, dhe punojeni brumin me rrahësin elektrik ose me tel kuzhine.
Ndiqni këto hapa derisa të keni mbaruar me miellin dhe qumështin, dhe masa të dali kremoze.
Kalojeni brumin në një tavë të lyer me gjalpë dhe të spërkatur me pak miell.
Futeni për ta pjekur në furrë të parangrohur me 180 gradë përreth 30 minuta.
Për të përgatitur kekun që ju parapëlqeni, para se ta hidhni brumin në tavë për pjekje, shtoni arrat, bajamet, copat e çokollatës apo të frutave.
Ose mund dhe ta zbukuroni pas pjekjes me çokollatë të shkrirë, sheqer pluhur apo me kremin e gjalpit me sheqer./AgroWeb.org