Për gazetaren e njohur Eni Vasili, Sofia dhe Nikol janë dhuratat më të çmuara që i dhuroi ky vit i vështirë. Një vit i fortë, në të cilin ajo me profesionalizëm arriti t’ia dilte, duke sfiduar dhe veten. Nëntë muajt e shtatzënisë kaluan
mes debatesh politike para një fushate elektorale të ethshme, megjithatë dy vogëlushet qëndruan të qeta e në paqe, pavarësisht nga tonet e larta në kreshendo që dëgjonin katër herë në javë në debatet që drejtonte nëna e tyre.
Por, përveç politikës Eni ka trajtuar edhe cështje të rëndësishme që kanë lidhje me rolin e gruas në shoqëri, me statusin e saj. Por si e shoh ajo të ardhmen e vajzave në vendin tonë?
“Mak abriteti i ngjarjeve të fundit ku një 6-vjeçare rrihet barbarisht nga babai dhe shkon në spital mes jetës dhe vdekjes, një 8-vjeçar vritet nga fqinji, një tjetër përdhunohet nga drejtori i shkollës, këto duhet të na zgjojnë nga letargjia. Po ndaj me ju një reflektim që pata me zonjën Kadare pas disa ngjarjeve të tilla, ku protagoniste ishin vajza minorene.
I shpreha dëshpërimin tim dhe i thashë se ky nuk është një vend ku nuk mund të rritësh vajza. Më tha se i kishte ndjekur edhe ajo me shpirt të tmerruar ato ngjarje, por më dha kurajë duke më thënë: “Dua të të siguroj që të rritësh dy vajza është sfida më e bukur. Jo, Eni, nuk është aspak e vështirë t’i rrisësh e t’i përgatisësh për jetën. Ti do të dish t’i orientosh ato me kulturën, por edhe me përvojën tënde. Çmoje, gëzoje dhe shijoje këtë lumturi që të zbriti nga qielli, me gjithë forcën shpirtërore dhe morale që ke. Nuk janë fjalë të hedhura në erë këto që po të them. Janë fjalët e një nëne që ka rritur dy vajza, prej të cilave ka marrë shumë lumturi. Të përqafoj fort! Helena’.”