Ushqime

Kjo është receta më e mirë për të bërë kulaçin/ Ka një shije aq të veçantë

Kulaçi, kjo bukë e ngrohtë dhe e shijshme shoqëron drekat dhe darkat e shumë shqiptarëve, sidomos në fshatrat e mrekullueshëm të vendit.

Shija e kulaçit nuk ka të krahasuar me ato që jemi mësuar të blejmë nëpër furrat e bukës.

Ai është fantastik gjithashtu, teksa shoqërohet i ngrohtë me pak gjalpë të freskët, kos dhe djathë të bardhë.

Tradicionalisht kulaçi përgatitej nga nënat apo gjyshet shqiptare në ndonjë rast feste të veçantë, por gjithashtu edhe kur në shtëpi vinin miq e mysafirë.

Më poshtë do të gjeni një recetë të thjeshtë për përgatitjen e kulaçit në kushtet e shtëpisë, por ndryshe nga recetat e publikuara deri më tani, kjo e sotmja përmban si përbërës kryesor preshin.

Përbërësit
3 vezë

1 filxhan çaji me kos,

Gjysëm filxhani çaji me vaj ulliri,

3 lugë gjelle me miell të bardhë

1 filxhan çaji me miell misri

10 gramë pluhur pjekjeje (e gjeni në markete)

2 lugë çaji me kripë

5 presh

3 lugë gjelle me vaj ulliri

Përgatitja
Ndizeni sobën. AgroWeb.org ju udhëzon të merrni një tigan dhe hidhni në të 3 lugë gjelle me vaj.

Shtoni preshin e prerë në copa dhe gatuajeni deri sa të zbutet ndjeshëm.

Në një enë tjetër rrihni vezët. Shtoni kosin, vajin e ullirit dhe rrihini së bashku.

Shtoni miellin e bardhë, miellin e misrit, pluhurin e pjekjes dhe kripën.

Përziejini mirë deri sa masa e përfituar të jetë kompakte.

Shtoni preshin e kavërdisur në fillim dhe përziejini sërish.

AgroWeb.org ju udhëzon të lyeni tepsinë e pjekjes me pak yndyrë dhe më pas shtoni masën e mësipërme.

Piqeni në një temperaturë prej 180 gradë deri sa sipërfaqja të marrë një nuancë të artë.

Për të kuptuar nëse kulaçi është pjekur siç duhet, ju mund të merrni një pirun dhe ta shponi pak kulaçin në sipërfaqe.

Nëse sipërfaqja e pirunit del e pastër, atëherë kulaçi është gati dhe pjekur sa duhet.

Atë mund ta servirni duke e shoqëruar me gjalpë, djathë të freskët, dhallë ose kos.

MË TË LEXUARAT

To Top