Receta e mishit të pulës me qull është një recetë e veçantë shqiptare, e cila përgatitet në çdo kohë dhe shumë shpejt.
Përgatitja kërkon përbërës shumë të thjeshtë dhe krijon një vakt të bollshëm. Provoni ta gatuani sipas hapave që na sugjeron Renato Mekolli dhe shijoni aromën dhe kombinimin e mishit me qull dhe erëza.
Përbërësit: 500 gr mish pule, 50 gr gjalpë, 3 lugë gjelle miell, 5 thelpinj hudhre, 2 lugë çaji limon
,Krip, Piper, Pak majdanoz
Udhëzimet
Hapi 1/ Lajmë dhe pastrojmë mishin e pulës. Në një tenxhere vendosim pak gjalpë dhe e vendosim në zjarr. Shtojmë mishin e pulës dhe e përziejmë.
Hapi 2/ Shtojmë ujë në tenxhere, aq sa mishi i pulës të mbulohet.
Hapi 3/ Në një tenxhere të dytë vendosim miellin dhe pak gjalpë. I përziejmë deri në momentin që mielli merr ngjyrë të verdhë. Shtojmë në tenxhere pak nga lëngu i mishit të pulës, që u përgatit në tenxheren e parë.
Hapi 4/ Përziejmë me kujdes miellin me lëngun e mishit dhe gjalpin, derisa masa të mos mbetet e kokrrizuar, por të marrë formën e një salce të plotë.
Hapi 5/ Pasi qulli të jetë formuar në masë të njëtrajtshme, e vendosim në tenxheren e parë ku po ziejmë mishin.
Hapi 6/ Shtojmë kripë, piper dhe hudhra, dhe e lëmë në zjarr të ulët.
Hapi 7/ Kur shohim që mishi është zbutur dhe është gatuar, e heqim nga zjarri. Shtojmë pak limon dhe shumë pak majdanoz të grirë imët.