Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, gjatë mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë për rishikimin e buxhetit për vitin 2022, ka bërë me dije se qeveria ka vendosur në dispozicion, 6.1 miliardë lekë të cilat do të përdoren për paketën e dytë anti-krizë.
“Ky akt normativ i përgjigjet krizës së energjisë dhe të çmimeve. Fokusi është akomodimi i mbështetjes për kategoritë. Synimi është shtrirja në kohë e paketës për të përballuar rritjen e çmimeve. Janë 6.1 miliardë lekë që do të përdoren për paketën. Ndërkohë kemi rritur pritshmëritë për të ardhurat dhe kemi ulur pritshmëritë për deficitin buxhetor. Rritja ekonomike për vitin 2022 do të jetë më shumë se 3.2%”, tha Ibrahimaj.
Më tej Ibrahimaj tha se do të rriten me 13 miliardë lekë shpenzimetmë së shumti për të përballuar rritjen e çmimeve.
“Do të rriten me 13 miliardë lekë shpenzimet, më së shumti për të përballuar rritjen e çmimeve. Parashikohen masa për të ndihmuar familjet përballë çmimeve, janë parashikuar fonde për kontratat publike. Reduktohet deficiti buxhetor me 17 miliardë lekë, duke e ulur në nivelin e 84 miliardë lekë. deficiti do të jetë sa 4.2% e PBB-së nga 4.5% që ishte. Limiti i huamarrjes është 33 miliardë lekë dhe jo 50 miliardë. Borxhi publik do të jetë 70.1% e PBB-së, por parashikimet janë pjesë e rishikimeve pasi mund të kemi ulje të borxhit nëse kursi vijon i tillë”, shtoi ministrja.