Kompania “Ferrero” ka mbyllur fabrikën e prodhimit të çokollatave “Kinder Surprise” pas skandalit të kontaminimit me salmonelë, gjë e cila infektoi dhjetra persona në Europë. Autoriteti i sigurisë ushqimore i Belgjikës ka urdhëruar gjithashtu tërheqjen e të gjitha produkteve Kinder të prodhuara në fabrikën në Arlon, e cila është në pronësi të kompanisë “Ferrero”.
Rastet e dyshuara të salmonelës të lidhura me çokollatën Kinder janë raportuar në shumë shtete duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Francë dhe Belgjikë.
Sipas BBC, Ferrero ka kërkuar falje dhe ka pranuar dështimin me ruajtjen e standardeve të sigurisë ushqimore. Autoriteti i sigurisë ushqimore i Belgjikës, AFSCA, tha se fabrika u urdhërua të mbyllej pasi Ferrero nuk ishte në gjendje të jepte informacion të plotë për hetimin e saj mbi shkakun që çoi në këtë skandal.
AFSCA tha se hetimi ishte në vazhdim dhe fabrika do të lejohej të rihapej vetëm nëse Ferrero mund të jepte garancitë e nevojshme që ajo funksiononte në përputhje me rregulloret e sigurisë ushqimore.
Ministri belg i Bujqësisë David Clarinval tha në një deklaratë: “Një vendim i tillë nuk merret kurrë lehtë, por rrethanat aktuale e bëjnë të nevojshme. Siguria ushqimore e qytetarëve tanë nuk mund të neglizhohet kurrë.”
Tërheqja përfshin të gjitha produktet Kinder Surprise, Kinder Surprise Maxi, Kinder Mini Eggs dhe Kinder Schokobons. AFSCA u ka kërkuar gjithashtu kompanive që të heqin produktet nga raftet e tyre dhe i këshilloi njerëzit që të mos i hanë ato.
Të enjten, Ferrero tërhoqi disa nga çokollatat e saj Kinder nga dyqanet në SHBA për shqetësimet rreth ndotjes së mundshme me salmonelë.
Në fillim të kësaj jave, një numër i produkteve të vezëve me çokollatë Kinder Surprise u tërhoqën gjithashtu në Mbretëria e Bashkuar. Të gjitha ëmbëlsirat e infektuara me salmonelë ishin prodhuar në të njëjtën fabrikë belge.