Ora 21 shënoi fillimin e Fest’61 të RTSH në Pallatin e Kongreseve. Hapjen e Festivalit e bëri drejtorja artistike njëherazi moderatorja Arbana Osmani. Para nisjes së prezantimit të 26 këngëve pjesëmarrëse ku siparin e çeli këngëtarja Enxhi Nasufi me këngën “Burr”, Arbana ndali edhe tek përjetimet personale lidhur me kompeticionin më të rëndësishëm muzikor shqiptar.
“Jam rritur në një vend ku nuk ndodhnin shumë festivale dhe Festivalin e Fundvitit mezi e prisnim me gjithë familjarët e mi. Dhe mbaj mend që ky festival ka qenë kolona zanore e fëmijërisë sime, e kemi përjetuar shumë bukur. Mirënjohje artistëve që na dhanë ato emocione e që vit pas viti kanë sjellë këngë të mrekullueshme, faleminderit”, thotë Osmani.
Më tej moderatorja shpreh mirënjohjen për përzgjedhjen e saj në drejtimin artistik të kësaj ngjarjeje. “Faleminderit për këtë pozicion që na kanë dhënë, sepse është përgjegjësi e madhe të jesh në drejtimin e këtij festivali!
Festivali i Fundvitit ka qenë kolona zanore e fëmijërisë sime! Shpresoj që ky festival të mbetet kolona zanore e fëmijëve të mi dhe fëmijëve të fëmijëve tanë !” u shpreh Osmani duke rikujtuar se këngën që do përfaqësojë Eurosong këtë vit do ta zgjedhë publiku.
E pesta në garë ka konkurruar në Festivalin e Këngës, artistja “Fifi” (Filloreta Raçi). Para se të niste interpretimin ajo rrëfeu në një bisedë të shkurtër me moderatoren Arbana Osmani se kjo këngë ishte një mesazh kundër bul lizmit.
Ndërkaq artistja u shfaq në këtë edicion të 61-të të Festivalit të Fundvitit me një look krejt ndryshe. Kënga që interpretoi artistja titullohet “Stop” dhe u shoqërua edhe me një performancë baleti.