Lajme

Na bënë krenarë! Ambasadorja amerikane në Tiranë takon dy vëllezërit shqiptarë

Ambasadorja Yuri Kim është takuar në Tiranë me dy vëllezërit Artan dhe Arnold Balla, dy të rinj nga Shqipëria që pak kohë më parë mahnitën jurinë në SHBA me shfaqjen e tyre në konkursin “America’s Got Talent”.

Pas suksesit në sfidën e parë dhe “dritës jeshile” që morën nga juria në Amerikë, dy vëllezërit Ballla duhet të udhëtojnë përsëri përtej oqeanit për hapin e radhës. Ata kanë shkuar sot në selinë e Ambasadës në Tiranë dhe kanë marrë vizat.

Në mesazhin e saj, ambasadorja Kim thotë se si miliona njerëz kudo në botë, edhe ata në selinë diplomatike në Tiranë do të bëjnë tifo për dy vëllezërit e talentuar nga Shqipëria, kur ata të dalin në skenë për performancën e tyre.

“Ishte kënaqësi të takohesha me vëllezërit Balla, të cilët kanë magjepsur botën me talentin e tyre! Artan dhe Arnold Balla erdhën në Ambasadën Amerikane sot për të marrë vizat e tyre, që të shkojnë në Hollywood dhe të konkurojnë në Amerika Ka Talent.

Ata më thanë se si ishin stërvitur qëkur ishin 14 vjeç, dhe se si askush nuk besonte tek ta në fillime. Por ata këmbëngulën dhe punuan fort, dhe sot janë shqiptarët e parë që interpretojnë në shfaqjen televizive më të famshme në botë.

Si miliona njerëz kudo në botë, të gjithë ne në Ambasadën Amerikane do bëjmë tifo për vëllezërit shqiptarë Balla kur ata të dalin në skenë dhe të tregojnë se Shqipëria Ka Talent! Suksese”, ka thënë ambasadorja Yuri Kim, në mesazhin e shpërndarë nga selia diplomatike në Tiranë.

MË TË LEXUARAT

To Top