I ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin “Më lër të flas” ishte këngëtari dhe producenti i mirënjohur Claydee.
Klejdi Lupa apo Claydee ka lindur në Shqipëri dhe është rritur në Greqi. Këngëtari është një nga artistët shqiptarë më të njohur jo vetëm në Greqi por dhe më gjerë.
Teksa ishte i ftuar në emisionin e vëllezërve Veshaj, Claydee ka ri-sjellë në vëmendje fillimet e tij. Ai ka folur për vështirësitë që ka hasur në vendin fqinj e veçanërisht përballjen me racizmin.
“Fillimi ka qenë i vështirë, si të gjithë njerëzit. Racizmi gjithmonë ekziston, por ka të bëjë shumë familja dhe e kupton shumë shpejt që të gjithë njerëzit janë njësoj dhe ke mundësi të tregosh kush je me punën tënde, me gjërat që bën dhe duhet të vlerësosh shpirtin e njerëzve.
Në Greqi, në fillim ka qenë vështirë, por kur rezultatet dhe puna që dashuron dhe e bën me shumë pasion dhe krijon diçka të suksesshme, suksesin e duan të gjithë dhe aty mbaron racizmi, të gjithë të duan”- u shpreh ai.
Pavarësisht se është rritur në Greqi, Claydee nuk e ka harruar gjuhen shqipe dhe ka treguar se mundohet të flasë sa më shumë sepse është gjuha e tij.
“Dy vitet e fundit kam filluar të flas shqip, që kam filluar të vij dhe në Shqipëri, kam dhe disa shokë shqiptarë. Mundohem sepse është gjuha ime, është mirë të mos harrosh nga fillove”- përfundoi këngëtari.