Samia Suluhu Hassan, e cila deri më tani ishte duke shërbyer si nënpresidente e Tanzanisë, të premten u betua në postin e presidentes së shtetit me rreth 60 milionë banorë që shtrihet në lindje të Afrikës. Ajo u bë presidente pas vdekjes së presidentit John Magufuli, i cili e mohonte Covidin.
Në një deklaratë, Presidenca e Tanzanisë tha se presidentja e re do t’i drejtohet kombit pas betimit dhe gjithashtu do të mbajë një takim me kabinetin, shkruan Reuters.
Profili i presidentes së re po vlerësohet si kontrast i paraardhësit, politikan populist që njihej me nofkën “buldozeri” për shkak të mungesës së tolerancës ndaj atyre që shfaqnin pakënaqësi.
Hassan do të përballet me detyrën e “shërimit” të vendit të polarizuar nga presidenti i ndjerë dhe me ndërtimin e bazës së saj politike për të qeverisur në mënyrë efektive, thanë analistët.