Iliazi, një burrë nga Peshkopia, i cili prej një dekade jeton nën një çati më dy gratë e tij kishte zgjedhur programin “Dua të të bëj të lumtur” për të ndarë më shumë rreth jetës së tij me dy gratë, Anifen dhe Manushaqen.
Iliazi ishte martuar me shkuesi me Anifen kur ishte 20 vjeç. Ata nuk ia kishin dalë dot mbanë që të bënin një fëmijë dhe për këtë arsye ai i kishte propozuar Anifes që në shtëpi të sillte një grua të dytë me qëllimin që familja e tyre të plotësohej me fëmijë. Anife fillimisht hezitoi kundrejt këtij propozimi, por më pas, duke parë situatën në të cilën ndodheshin, kishte rënë dakord.
“Kur i kërkova dorën Manushaqes për t’u martuar, bashkë me mua ishte dhe Anifeja, kështu që nuk kishte asnjë problem midis nesh”, u shpreh Iliazi.
Tashmë, Anifeja, Manushaqja dhe Iliazi jetojnë të lumtur në një shtëpi dhe kanë 8 fëmijë.
Iliazi i ishte drejtuar programit “Dua të të bëj të lumtur”, që të falënderonte dy gratë e tij për familjen që kishin krijuar dhe për harmoninë që kishin midis tyre.
Arbana Osmani e vendosi Iliazin para disa sfidave dhe nëse ai do t’i realizonte do të fitonte disa çmime. Sfidat kishin të bënin me larjen e rrobave, hekurosjen e tyre, ndërrimin e pelenave të një bebeje dhe gatimin e një byreku, të cilat Iliazi ia arriti që t’i përfundonte me sukses.