Për herë të parë që nga viti 1923, kur nisi të matej popullsia e vendit, popullsia e Shqipërisë pësoi shtesë natyrore në vitin 2021 sipas të dhënave të fundit të INSTAT për shkak se vdekjet ishin më të larta se lindjet.
Gjatë vitit 2021 lindën 27.284 foshnja, duke shënuar një rënie me 2,8 %, krahasuar me një vit më parë. Gjatë vitit 2021 humbën jetën 30.580 persona, duke shënuar një rritje me 10,8 %, krahasuar me një vit më parë.
Shtesa natyrore e popullsisë në tremujorin e katërt 2021 tregon se janë 898 vdekje më shumë se sa lindje. Ndërsa në të gjithë vitin 2021 shtesa natyrore ishte 3.296 vdekje më shumë se sa lindje. Shqipëria është karakterizuar nga shtesë natyrore pozitive ndër vite. Shtesa natyrore negative për vitin 2021 është ndikuar edhe nga situata e pandemisë Covid-19, raportoi INSTAT.
Në tremujorin e katërt 2021, pesë qarqe të vendit kanë shënuar shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në shtatë qarqet e tjera, shtesa natyrore e popullsisë ishte negative.
Në tremujorin e katërt 2021, qarku me shtesën natyrore më të lartë është Tirana, me 460 lindje më shumë sesa vdekje, ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët është Korça, me 349 vdekje më shumë se sa lindje.
Advertisements
Gjatë vitit 2021, katër qarqe të vendit shënuan shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në tetë qarqet e tjera shtesa natyrore e popullsisë ishte negative.
Gjatë vitit 2021, qarku me shtesën natyrore më të lartë është Tirana, me 1.642 lindje më shumë sesa vdekje, ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët është Vlora, me 1.222 vdekje më shumë se sa lindje.
Lindjet, renie pavarëisht bonusit
Gjatë vitit 2021 lindën 27.284 foshnja, duke shënuar një rënie me 2,8 %, krahasuar me një vit më parë.
Në tremujorin e katërt 2021, katër qarqe të vendit shënojnë rritje të numrit të lindjeve, në krahasim me tremujorin e katërt 2020, ndërsa tetë qarqet e tjera shënojnë ulje në krahasim me të njëjtën periudhë.
Në tremujorin e katërt 2021, qarku me numrin më të lartë të lindjeve është Tirana me 2.514 lindje, ndërsa qarku me numrin më të ulët është Gjirokastra me 113 lindje. Rritjen më të lartë në përqindje të lindjeve gjatë tremujorit të katërt 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 e zë qarku i Beratit me 13,7 %, ndërsa rënien më të madhe e ka qarku i Dibrës me 15,7 %.
Gjatë vitit 2021, pesë qarqe të vendit shënuan rritje të numrit të lindjeve, në krahasim me vitin 2020, ndërsa shtatë qarqet e tjera pësuan rënie.
Gjatë vitit 2021, qarku me numrin më të lartë të lindjeve është Tirana me 9.473 lindje, ndërsa qarku me numrin më të ulët është Gjirokastra me 451 lindje. Rritjen më të lartë në përqindje të lindjeve gjatë vitit 2021, krahasuar me vitin 2020 e zë qarku i Kukësit me 3,9 %, ndërsa rënien më të madhe e ka qarku i Elbasanit me 11,3 %.
Vdekjet në rekorde nga pandemia
Në tremujorin e katërt 2021, njëmbëdhjetë qarqe të vendit shënojnë ulje të numrit të vdekjeve, në krahasim me tremujorin e katërt 2020, ndërsa vetëm një qark shënon rritje në krahasim me të njëjtën periudhë.
Në tremujorin e katërt 2021, qarku me numrin më të ulët të vdekjeve është Kukësi me 166 vdekje, ndërsa qarku me numrin më të lartë është Tirana me 2.054 vdekje. Uljen më të madhe në përqindje të vdekjeve gjatë tremujorit të katërt 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 e zë qarku i Lezhës me rënie prej 24,6 %, ndërsa rritjen më të madhe e ka qarku i Vlorës me 3,0 %.
Gjatë vitit 2021, vetëm një qark i vendit shënoi ulje të numrit të vdekjeve, në krahasim me vitin 2020, ndërsa njëmbëdhjetë qarqe të tjerë shënuan rritje në krahasim me të njëjtën periudhë.
Gjatë vitit 2021, qarku me numrin më të ulët të vdekjeve është Kukësi me 612 vdekje, ndërsa qarku me numrin më të lartë është Tirana me 7.831 vdekje. Uljen më të madhe në përqindje të vdekjeve gjatë vitit 2021, krahasuar me vitin 2020 e zë qarku i Kukësit me rënie prej 2,4 %, ndërsa rritjen më të madhe e ka qarku i Vlorës me 33,2 %.