Ministria e Shtetit për Rindërtim, përfaqësuar nga ministri Arben Ahmetaj, dhe Fondacioni Firdeus, përfaqësuar nga Elvis Naçi kanë nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi për ndërtimin e 168 banesave për të pastrehët në Thumanë.
Ky fondacion mblodhi plot 9 milionë e 50 mijë euro nga donacionet e mijëra shqiptarvëe brenda vendit, por edhe nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, deri në SHBA e më tej.
Mbledhja e fondeve nisi menjëherë pas tërmetit të 26 nëntorit që shkaktoi 51 viktima, mbi 3,000 të plagosur dhe shkatërroi mbi 14,000 banesa.
Një prej zonave më të goditra nga tërmeti ishte epiqendra, në Thumanë, ku edhe janë planifikuar të ndërtohen banesat e reja.
Njoftimi i ministrit Ahmetaj:
Nënshkrimi i Marrëveshjes me Fondacionin Firdeus, një tjetër gur i rëndësishëm në themel të rindërtimit.
9 milionë e 50 mijë euro donacione nga shqiptarët për shqiptarët, do të shkojnë për rindërtimin e 168 banesave individuale në Thumanë, e në varësi të nevojës, edhe në njësi të tjera brenda zonës së dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit.
Ndërkohë qeveria ka avancuar 5.7 milion dollarë për rindërtimin e infrastrukturës në Thumanë dhe përgatitjen e terrenit për rindërtimin e banesave, ku shumë shpejt Firdeus do të fillojëte hedhë themelet e para.