Ushqime

Nuk do i blini më/ Këshilla si të kultivoni perime në ballkonin tuaj

Shumë nga barishtet që një amvisë përdor në kuzhinë mund të rriten krejt lehtë në shtëpi.

Por krahas barishteve, amvisat mund të rrisin edhe shumë perime me të cilat mund të gatuajnë ushqime nga më të shëndetshmet dhe mbi të gjitha pa pesticide.

Me këshillat e AgroWeb.org të renditura më poshtë në këtë artikull do të mund të mësoni se si të transformoni ballkonin apo verandën tuaj në një kopsht të shkëlqyer.

Përzgjedhja E Pajisjeve Të Duhura
Zgjidhni saksitë më të mira të mundshme të cilat ofrojnë edhe një sistem të mirë kullimi.

Për të ndihmuar këtë proces, krahas dheut organik ju mund të përdorni edhe guralecë të vegjël, të cilët sigurojnë që bimët nuk do të mbyten nga uji.

Ju mund të blini fara ose fidanë të vegjël në tregun e fshatarëve.

AgroWeb.org rekomandon listën e perimeve të mëposhtme, të cilat rriten lehtë dhe pa shumë përkujdesje.

Spinaqi Dhe Sallata Jeshile
Këto barishte kanë nevojë për ujitje çdo ditë.

Atyre u nevojiten saksi të vogla dhe mund t’i mbillni si nga fara ashtu edhe nëpërmjet fidanëve të gatshëm.

Në këtë mënyrë, ju do të përgatisni sallatën më të shëndetshme dhe organike të mundshme.

Selinoja
Nëse e mbillni nga fara, selinoja kërkon 120 ditë të plota të jetë gati për shfrytëzim.

Megjithatë, ju mund ta përshpejtoni këtë proces duke marrë bazën e një selinoje që e keni përdorur në kuzhinë dhe ta lini në ujë për pesë deri në 7 ditë.

Gjatë kësaj kohe, gjethet do të rriten sërish dhe baza do të ketë lëshuar rrënjë.

Selinonë me rrënjë mund ta mbillni.

Selinoja rritet lehtë për sa kohë e ujisni çdo ditë.

Patatet
Nëse keni një patate me filizë ju mund ta ndani në dysh dhe ta mbuloni me dheun në një saksi.

Duhet të kalojnë një ose dy muaj përpara se patatet e reja të jenë gati.

Gjethet e tyre do të zverdhen dhe menjëherë më pas duhet t’i këpusni.

Patatet mund t’i nxirrni nga dheu pas 10 ditësh.

Rrepkat
Rrepkat shumëngjyrëshe rriten mjaft lehtë në shtëpi.

I gjithë procesi nga mbjellja e farës deri në këputjen e tyre zgjat 30 deri në 40 ditë.

Farat mund t’i mbillni direkt në vazo dhe t’i ujisni çdo ditë.

Karrotat
Karrotat nuk kanë nevojë për shumë hapësirë por fara duhet mbjellë shumë thellë në saksi që t’i japë karrotës hapësirën e duhur.

Karrotat bëhen gati për 70 ditë që nga dita e mbjelljes.

Specat Djegës
Këto speca mund të rriten që nga fara.

Ato kanë nevojë për dritë dhe ngrohtësi dhe nuk shuhen nëse harroni t’i ujisni për disa ditë.

Domatet
Domatet lulëzojnë shumë lehtë edhe nëse rriten në ballkon.

Ato kanë një tolerancë të mirë ndaj të ftohtit dhe kanë nevojë për pak përkujdesje.

Në varësi të farës së përzgjedhur, domatet tuaja do të jenë plot shije e tul.

Disa domate mund të piqen në pranverë, disa të tjera në verë, sipas llojit.

Qepët E Njoma Dhe Barishtet E Tyre
Zgjidhni shtresën e bardhë dhe me fije të një qepe dhe futeni në ujë deri sa të lëshojë rrënjë.

Ujin ndërrojeni disa herë në ditë.

Pasi të lëshojë rrënjë, ju mund ta fusni bimën në një vazo dhe lëreni të rritet.

Barishtet e njoma e të gjelbra mund t’i prisni rregullisht me gërshërë dhe t’i përdorni në kuzhinë./AgroWeb.org

MË TË LEXUARAT

To Top