Pas fitores në “Big Brother VIP”, u përfol se balerini Ilir Shaqiri do të ishte pjesë e jurisë së “Dancing with the stars”, mirëpo siç mund ta keni parë, ai është kryetari i jurisë së “Dance with me” (Tv Klan), një format i ngjashëm që do të jetë konkurrent i “Dancing with the stars” (Top Channel). Çfarë ndodhi?
Kohëve të fundit, nëpër portale është përfolur për një krisje të marrëdhënieve mes Ilir Shaqirit dhe bashkëproducentes së “Big Brother VIP”, Lori Hoxha, nisur nga fakti se nuk e ndjekin më njëri-tjetrin në Instagram.
Anabel.al kontaktoi me Ilir Shaqirin në lidhje me këto pretendime, i cili u shpreh se përgjigjja e këtij është kjo:
“Jua them fare thjesht që kam komunikuar vetëm dy herë që pas daljes nga BBV me produksionin e projektit ‘Dancing with the stars’. E them me keqardhje këtë pikërisht sepse kam qenë dhe jam ndjerë pjesë e familjes Top Media për një nga eksperiencat më të forta dhe të bukura të jetës siç ishte BBV, gjithashtu dhe imazh i familjes aktuale Digitalb.”
Në postimin në Instagram, Shaqiri shton ndër të tjera:
“Komunikime të cilat për muaj me radhë munguan totalisht deri në 23 maj, kur herën e parë kërkesa ime ndaj produksionit të ‘Dancing with the stars’ mori përgjigjen ‘Je i lirë’, duke mos lënë shteg shprese për asnjë eventuale pritje të mëtejshme. [Komunikimi i dytë ishte] herën e dytë më 29 korrik e tutje me iniciativë të produksionit të ‘Dancing with the stars’ kur kërkesa e tyre për të qenë pjesë e ‘Dancing with the stars’ si kryetar jurie mori gjithashtu përgjigjen nga ana ime ‘Nuk jam më i lirë’, sepse vendimi për të qenë pjesë e ‘Dance with me’ pas 2 muajsh pritje tashmë ishte konkretizuar.”
“Thënë kjo, vendosa të ndjek në Tv Klan projektet e mia për sezonin televiziv të ardhshëm. Artisti jeton falë konsideratës dhe vlerësimit të pakushtëzuar duke i ofruar vetes dhe publikut më të mirën aty ku mendon se karriera e tij ka një zhvillim performance,” shkruan në vijim.
Anabel.al iu drejtua producentes Lori Hoxha për një koment, por nuk kemi marrë ende një përgjigje.