Elvana Gjata ka publikuar këngën e saj të re me titull “Thirr”, ku ditën e 34-vjetorit ajo u shfaq zemërthyer dhe e vetmuar me një gotë verë ndërsa i këndon ndarjes.
Ndërkohë, ndjekësit e saj besnikë kanë sjellë fakte që lidhen me jetën private të artistes, duke u shprehur se kënga e re e Elvanës që e ka shkruar vetë, ka nota autobiografike.
Në vargjet e këngës të shkruara nga vetë ajo, këngëtarja flet për historinë e dhimbshme të dashurisë, për një person që Elvana e ka thirrur, e ka pritur, por që ai s’e ka dashur kurrë. Në klip, ajo shihet e vetmuar teksa pret me një gotë verë të kuqe pranë zjarrit.
Por le të kthehemi te “Thirr” dhe “zjarri” i shuar në shpirt e mesazhi i koduar që këngëtarja sjell me këtë këngë. Kënga mban vulën e Dimitrov, ndërkohë që teksti dhe melodia janë të shkruara nga vetë këngëtarja, gjë që i dha akoma dhe më shumë nota melankolie e ndjeshmërie.
Për klipin, Elvana ishte treguar minimaliste, duke publikuar vetëm një “lyrics video”, ku shfaqej e vetme pranë një gote vere. Në fund të videos shkruhej: “Loading” dhe më pas shfaqej data “03.2021”.
Në formatet e shkrimit të datave, në fakt shkruhen gjithmonë ose muaji dhe viti, ose dita dhe muaji ose të treja bashkë, gjë që na bën të dyshojmë se “Thirr” nuk do të jetë projekti i fundit i Elvanës për këtë vit.