Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) ka dërguar një peticion me disa kërkesa për kryeministrin Edi Rama, ministren së Arsimit, Evis Kushi dhe Rektorët e Universiteteve Publike. Në kërkesën e tyre dërguar me shkrim, SPUSH ka renditur problematikat kryesore që po shkaktojnë tension dhe kërkojnë menjëherë zgjidhje nga qeveria në mënyrë që të stabilizohet situata në Universitete.
Ndër të tera, sindikata kërkon rritjen e pagave për pedagogët, rritjen e financimit për kërkimin shkencor, rritjen e shtesave mbi pagë për “Dëmshmëri shëndeti në punë, rritjen e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare. SPUSH thekson se këto janë vetëm një pjesë e problemeve që kanë universitete në vend, ndërsa kërkon reflektim nga ana e institucioneve përgjegjëse. Nëse kërkesat nuk plotësohen, sindikata paralajmëron ndërprerjen e mësimit në tetor.
9 kërkesat e pedagogëve ndaj qeverisë
Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë kërkon nga qeveria, rritjen e pagave për pedagogët dhe stafin ndihmës- akademik e administrativ. SPUSH evidenton që rritja e inflacionit, çmimeve të ushqimeve dhe produkteve të tjera bazë të jetesës, nuk u përgjigjet pagesave të pedagogëve, të cilat janë më të ulëtat në rajon. Nga ana e pedagogëve, propozohet të arrihet niveli i pagave te universiteteve publike te Kosovës brenda 2 viteve, me rritje 30 % ne tetor 2022 dhe 20 % ne tetor 2023. Gjithashtu kërkohet rritja e financimit për kërkimin shkencor që të jetë të paktën 0.3 % e GDP, me 2023. Sipas tyre, aktualisht është, në përqindje GDP-je, mbi 10 herë më i ulët se disa vende të Rajonit.
Në fokus të kërkesave të tyre është dhe rivendosja e shtesave mbi pagë, për “Dëmshmëri shëndeti në punë”, për laborantët dhe stafin akademik që punojnë në laboratorë, në kontakte me “substanca të rrezikshme dhe preparate të tjerë”. Gjithashtu kërohet rritja e shtesës mbi pagën për vjetërsinë në punë, për personelin akademik të punësuar me kohë të plotë në IAL-të publike, për çdo vit pune, nga masa 0.5% që është aktualisht, në masën 1% dhe nga 15 vjet që është aktualisht në 25 vjet. Rritjen e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare për pedagogët e brendshëm (PAE) dhe pedagogët e jashtëm me kontratë (PAK), në mënyrë që kjo t’i afrohet vlerës së pagesës në universitetet private. Rivlerësimin e orës mësimore, pasi ka një zbritje prej 50% të pagesës së orës mësimore si rezultat i mosdiferencimit të orës mësimore të leksionit, e cila më parë kishte koeficentin 2 për leksionin në master dhe 1.5 për atë në bachelor, ndërsa tani e ka koeficentin 1, duke u bërë njëlloj me orët e tjera në auditor (seminare, laboratorë, praktika, etj.)
Nga ana tjetër, pedagogët kërkojnë rishikimin e tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës suplementare si me poshtë: Pagesa e orëve suplementare të realizuara gjatë një viti akademik jepet njëherësh në fund të vitit. Duke e bashkuar me pagën mujore, kur lëvrohet kjo shumë, kalon kufirin përkatës të tatimit 23%. Pagesa e orëve suplementare është shumatore e pagesave mujore që duhet të merreshin të shpërndara gjatë vitit akademik dhe për rrjedhojë tatimi duhet të llogaritej proporcionalisht për çdo muaj të vitit, pra maksimumi me 13%.
Me këtë procedurë që është zbatuar gjatë këtyre viteve janë cënuar padrejtësisht interesat financiare të stafit akademik. Kërkojmë të rishikohet mënyra e përllogaritjes së tatimit mbi këto të ardhura”, thuhet ndër të tjera në peticion. Nga ana tjetër pedagogët kërkojnë që për të bërë transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universiteteve publike, si dhe përdorimin e tyre, MAS-i duhet që të ushtrojë kompetencat e saj ligjore, duke bërë menjëherë publike online, në platformën U-Transparenca dhe në website-t e çdo universiteti publik, të dhënat e hollësishme financiare, 3-mujore dhe vjetore, mbi përdorimin e këtyre fondeve nga IAL-te, për tre vitet e fundit, për të gjithë zërat e shpenzimeve (atyre korente, investimeve, pagave dhe shpërblimeve si për stafet akademike, ashtu dhe për autoritetet apo organet/bordet drejtuese, administratën mbështetëse të IAL-ve, fonde për bursa për studentë, si dhe shpenzime për kërkim shkencor dhe botime),” thuhet në peticionin që ata kanë dërguar.
Paralajmërimi për bojkot
Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë thotë se pedagogët janë të gatshëm që në tetor të bojkotojnë mësimin sepse pagat e tyre janë absurde dhe po zhyten në varfëri nëse nuk merren parasysh këto kërkesa nga qeveria. Në pritje të reflektimit Ie institucioneve përkatëse për adresimin e zgjidhjen e kërkesave mësipërme, SPUSH-ja shprehet e gatshme të japë ndihmesën e vet me ekspertizën e anëtarësisë së saj. Në respektim të akteve ligjore në fuqi anëtarët dhe mbështetësit e kësaj sindikate gëzojnë mbrojtjen e të drejtave themelore demokratike të punëmarrësve, përfshirë ndërprerjen e përshkallëzuar te mësimit, në rast të mungesës së reagimit nga ana e autoriteteve.