Lajme

Parashikimi: Një ciklon i fuqishëm depërton drejt Detit Jon

Rajoni ynë sot gjendet nën ndikimin e një cikloni i cili gjendet në bregun perëndimor të bregdetit Italian Ky ciklon pritet të depërtojë drejt Detit Jon duke u dobësuar dhe për këtë arsye kemi vranësira lokale dhe intervale të shkrurtra kohore me diell.

Cikloni do të ndikojë në motin në rajonin tonë, por nuk do të sjellë reshje të mëdha domethënëse atmosferike. Reshjet pritet të jenë të karakterit lokal. Sot probabiliteti më i madh për rrebeshe shiu është në jug të Kosovës, ndërsa nesër dhe pasnesër në veri të Shqipërisë dhe pjesërisht në perëndim të Kosovës ku mund të ketë ndonjë zhvillim të fuqishëm konvektiv që mund të kushtëzojë rrebeshe të fuqishme shiu me vetëtima dhe bubullimë, por këto rrebeshe do të jenë krejtësisht të izoluara.

Në anën tjetër cikloni pritet të kushtëzojë rrebeshe mjaft të fuqishme në Mal të Zi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci dhe pjesë të Serbisë ku priten shtrëngata të fuqishme me breshër.

Temperaturat nuk pritet të pësojnë ndonjë ndryshim, ndërsa gjendja pothuajse e ngjashme sinoptike pritet të zgjasë edhe gjatë fundjavës. Pra, në territoret tona priten intervale të gjata kohore me diell dhe zhvillime të izoluara të ndonjë rrebeshi të fuqishëm, megjithatë shumica e territorit mbetet pa reshje. Temperaturat maksimale këto ditë pritet të lëvizin nga 19 deri në 25 gradë Celsius.

Në gjysmën e dytë të javës së ardhshme sipas të gjitha gjasave priten rritje të ndjeshme të temperaturave dhe kjo mund të jetë vala e parë e nxehtësisë verore që do të përfshijë rajonin tonë ku temperaturat pritet të afrohen te shifra 30 gradë Celsius dhe ndoshta edhe të regjistrohet kjo shifër.

MË TË LEXUARAT

To Top