Një mësuese në Kosovë është pushuar nga puna për shkak të shamisë. Mësuesja Remzije Lezi nga Reshtani i Suharekës nuk do të mundet të ushtrojë profesionin e mësueses pasi ajo nuk lejohet të mbajë shami.
Në vendimin e bordit drejtues së shkollës thuhet se në mënyrë unanime është vendosur që mësuesja e matematikës të mos lejohet të ushtrojë profesionin e saj vetëm prej veshjes fetare që ajo mban.
Vlen të thuhet se në Kosovë kohët e fundit ka patur shumë debate rreth kësaj teme, pasi janë të shumtë ata qytetarë që kërkojnë që ky vendim i Ministrisë së Arsimit të shfuqizohet.
Por Ministria e ka ritheksuar disa herë se nuk do të heqë dorë nga ky vendim dhe se veshjet fetare nuk do të lejohen në shkolla.
Këshilli Drejtues i Shkollës ka vendosur në mënyrë unanime, që mesuesja e matematikes Remzije Lezi të përjashtohet nga shkolla.
Lidhur me këtë ka reaguar këngëtari Adem Ramadani. “Ku janë organizatat e grave që dje brohoritnin për mbrojtjen e grave?!!! Hajde të protestojmë sot edhe në mbrojtjen e të drejtës së mësueses Remzije! Edhe mësuesja Remzije është një femër e këtij vendi, mbroja të drejtën e saj të mohuar”, ka shkruar ai.