Lajme

Politika shqiptare në zi/ Shprehen me radhë ngushëllimet: Sot është një ditë e zezë!

Ndarja nga jeta e ish-presidentit Bujar Nishani ishte një lajm i trishtë për politikën shqiptare. Krerët e lartë të shtetit dhe politikës, shprehën mesazhe ngushëllimi për kolegun dhe mikun e tyre duke e cilësuar si një personalitet me vlera të mëdha.

Kjo e shtunë ishte një ditë zie për politikën shqiptare, pas lajmit të trishtë, të ndarjes nga jeta të ish-Presidentit Bujar Nishani. Krerët e shtetit dhe politikës, bashkëpunëtorë e miq, shprehën ngushëllimet për largimin nga jeta, të Bujar Nishanit.

Anëtarët e Partisë Demokratike, Në këshillin kombëtar, ku po numëroheshin votat për anëtarët e kryesisë së re, mbajtën një minutë heshtje, në nder të kujtimit të Bujar Nishanit, pasi mësuan lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta i president të gjashtë, të Shqipërisë, postkomuniste. Presidenti Ilir meta përmes një mesazhi ngushëllimi, e cilësoi si një personalitet me vlera të rralla.

“Me trishtim dhe hidhërim të thellë mora lajmin e largimit nga jeta të Presidentit Bujar Nishani.Presidenti Nishani do të kujtohet gjithnjë si një personalitet me vlera të rralla të një udhëheqësi me integritet dhe vizion.Kontributi i tij për Shqipërinë dhe demokracinë do të kujtohet përherë me respekt. I paharruar kujtimi i President Nishanit!”-tha Meta.

Edhe ish-Kryeministri Sali Berisha, shprehu ngushëllimet dhe dhimbjen për ndarjen nga jeta, të një prej bashkëpunetorëve të tij të ngushtë.

“Personalisht unë kam patur tek Bujar Nishani njërin prej bashkëpunëtoreve me të afërt, më të aftë, më të dashur dhe më të çmuar, më të virtytshëm që do mbetet gjithmonë në memorien time, si mirënjohje e thellë për bashkëpunimin e ngushtë që kemi patur si krenari e veçantë që pata nje mik fisnik si ai.

Ndaj sot është dite zie dhe dhimbje të thellë për familjen e nderuar Nishani që humbën bashkëshortin dhe prindin e tyre të mrekullueshëm e shembullor, për miqtë dhe të afërmit e tij që humbën një mik të dashur që do ju mungojë gjithmonë, për Partinë Demokratike që humbi njerin prej drejtuesve më të talentuar, për shtetin dhe kombin shqiptar që humbën sot shërbëtorin besnik dhe të përkushtuar, shtetarin e aftë e të ndershëm, patriot dhe fisnik.”-deklaroi Berisha.

Edhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, shprehu ngushëlimet për ndarjen nga jeta të Bujar Nishanit, duke theksuar se në detyrat që mbajti, ai i sherbeu vendit me përkushtim.

Bashkëpunetori dhe miku i tij, Edi Paloka e cilësoi vdekjen e Bujar Nishanit si një fatkeqesi për familjen e tij dhe gjithë demokratët, ndërsa shprehu respektin për kontributin që ai dha, për vendin dhe Partinë Demokratike.

Edhe sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialsite, Damian Gjiknuri, e cilësoi lajmin e ndarjes nga jeta të Bujar Nishani si një lajm të dhimbshëm, për një personalitet që përcolli vlerat më të mira njerëzore, qetësinë dhe maturinë.

MË TË LEXUARAT

To Top