Lajme

Publikohen letrat me lutjet që Nënë Tereza bëri për shqiptarët, i shkroi me duart e saj: Kam dhënë besën e shqiptarit para Zot se do bëj mirë!

Në Qendrën për Hapje edhe Dialog është çelur ekspozita në nderim të katërvjetorit të shenjtërimit të Shenjtës Terezë (5 shtator 2016). Tre letra origjinale të shenjtës Tereza për Ramiz Alinë, me fragmente në shqip, dhe një fotografi e rrallë gjatë vizitës në Shkodër ekspozohen për publikun

“Unë ja kam dhan besën a shqiptarit Zotit me prue dashni and pagje mbi gjithë botën”. Me këto fjalë në gjuhën shqipe, shenjta Terezë do t’i drejtohej 31 vite më parë, në 29 tetorin e 1989-s, Presidentit të kohës, Ramiz Alia.

Në Qendrën për Hapje dhe Dialog u prezantua sot për herë të parë në kuadër të 4-vjetorit të shenjtërimit të Shenjtës Terezë (5 shtator 2016 në Vatikan), letra e saj në origjinal e shkruar me disa fragmente në gjuhën amtare, nën praninë e kryeministrit Edi Rama dhe studiuesve të historisë dhe përfaqësuesve fetarë.

“Shenjta Tereza e vizitoi për herë të parë Shqipërinë në gusht të 1989-s, e mbaj mend sesa shumë emocion, përzier me kuriozitet të madh, kishte zbarkimi i saj në Tiranë dhe pse mundësia për ta ndjekur pas në hapat e saj nuk është ajo që është sot. Të gjithë ishim krenarë dhe shumë të përfshire nga ajo vizitë”, thotë ndër të tjera kryeministri Edi Rama, teksa e cilëson si një sukses të qeverisë së tij nxjerrjen në dritë të kësaj letre që kishte 31 vite në Arkivin e Shtetit.

“Kemi zemër për të dashur dhe duar për të shërbyer”, fjala e duhur për të përshkruar këtë përpjekje që synon që t’i kthejmë në shtëpi ata që patën fatkeqësinë të humbasin strehën në atë natë tragjike”, tha kreu i qeverisë.

Janë tri letra me kreun e shtetit shqiptar të asaj periudhe, që rrëfejnë dhembshurinë dhe dashurinë e Shenjtës Terezë për të varfëritë, por dhe për kombin pjesë e së cilit ishte. Shenjta Terezë e Kalkutës u lind në Shkup në vitin 26 gusht 1910. Emri i saj i lindjes është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu. Për herë të parë në gusht të vitit 1989 vizitoi Shqipërinë. Ndërsa, sot është gruaja më e shquar shqiptare edhe njihet në mbarë botën, si shembull i jashtëzakonshëm për misionin e saj të bamirësisë, ndaj më të varfërve të botës, pa dallim race, feje, kombësie dhe përkatësie shoqërore. Shenjta Terezë u shua në 5 shtator të vitit 1997.

MË TË LEXUARAT

To Top