“Unë flas gjermanisht në punë, por pas punës zemra më flet shqip. Jam shumë e integruar, por kjo nuk do të thotë e asimiluar”, thotë Elona Kamberi, njëra nga femrat më të suksesshme shqiptare në Austri.
Nga bjeshkët shqiptare të Opojës vjen një shkëndijë në shndritjen e imazhit tonë shqiptar deri në zemër të Evropës, aty ku kahet marrin drejtimin edhe për nesër.
Është kjo vajzë fjalëpakë, modeste por e brumosur me dije e qëndrim të njeriut modern ashtu siç e do koha, quhet Elona Kamberi. Ajo vjen nga fshati Blaç në lartësinë ku edhe shkëmbinjtë flasin shqip, atje ku errësira e aziatike e fanatizmit ndaj gruas tenton ta kaplojë Opojën. Por, Jo! Aty, prindërit Kamberi, me traditë në arsim e edukim kombëtar sollën dritën e diturisë, fëmijët e tyre i shkolluan duke u dhënë përparësi vajzave.
E brumosur me edukatë të familjes malësore, e ngjizur me virtytet e trashëguara të brezave, Elona Kamberi, do të ngjitet lart në krahët e shkencës dhe detyrës deri tek gazeta më prestigjioze austriake “Die Presse“. Dhe, ky do të jetë hapi i radhës drejtë portave të institucioneve më të larta të Austrisë, vendit, ku vlerësohet puna e rezultati i saj, vlera e saj në interesin e perspektivës. Deri te emigrantja e parë e inkuadruar në një ministri vendore, madje menaxhere e suksesshme e saj.