TasteAtlas është një udhëzues që mbledh receta autentike, komente të kritikëve të ushqimit dhe artikuj kërkimor rreth përbërësve dhe pjatave.
Bazuar në votat e publikut për pjatat dhe gatimet më të mira, TasteAtlas ka bërë një renditje të tillë ku kryesojnë gatimet italiane ndjekur nga pjatat greke, spanjolle, japoneze, indiane meksikane, turke etj.
Dhjetëshja më e mirë mbyllet me gatimet e Perusë. Gatimi shqiptar renditet i 68-ti ku ndër ushqimet më të mira vlerësohen gjiza, fërgesa, qofte, ballokume, tavë kosi.
Kuzhinieri Fundim Gjepali tha në një intervistë për Euronews Albania se kohët e fundit vëmendja është rikthyer sërish nga kuzhina tradicionale shqiptare, pas një prirjeje drejt gatimeve të huaja.
Kjo, sipas tij ka ardhur edhe për shkak të kërkesës në rritje të turistëve që vjen me rritjen e numrit të tyre vitet e fundit.
Ai tregoi pjatën e veçantë që u ka servirur klientëve italianë në restorantin e tij në Romë dhe që do të jetë edhe në darkën festive të Vitit të Ri; syltjash të kripur me tartar sipër.
“Në Romë kam bërë syltjashin e kripur me tartar peshku lart. Njerëzit e vlerësojnë shumë se kuptojnë shijen finale. Kur i shpjegojnë që janë bashkuar rrënjët me historinë profesionale e kuptojnë këtë shije të panjohur, por të shkëlqyer”, tha kuzhinieri.