20 vjeçarja Viola Sylejmani prej 15 vitesh bashkëjeton me vitiligon, sëmundjen që të zbardh lëkurën dhe ta lë me pulla.
E ftuar në “Ftesë në 5”, e reja ka treguar se fillimi i pranimit të kësaj sëmundjeje ka qenë shumë e vështirë për të, pasi shumë persona e paragjykonin.
Ajo u përlot kur tregoi se kur shkonte në plazh, dëgjonte nënat e shoqeve të saj që u thonin fëmijëve të tyre, të mos i afroheshin Violës sepse mund t’ua ngjiste. Me lot në sy, 20-vjeçarja tregon se shumë herë i lyente shenjat në trup me make-up dhe se për shumë vite me radhë nuk e ka dashur veten e saj.
“Fillimi ka qenë shumë i vështirë. Që prej fëmijërisë jam paragjykuar nga moshatarët kur më shihnin njollat e bardha në trup. Kur shkonim në plazh, atëherë si çdo fëmijë që do të krijojë shoqëri iu afrohesha fëmijëve dhe dëgjoja nënat që nuk i lejonin të më afroheshin, sepse kishin merak se ngjitej.
Gjatë moshës 16 vjeçare, në momentin kur nisa punën time të parë, u detyrova të mbuloja me “make up” shenjat në këmbë dhe në duar, për të shmangur vështrimet dhe reagimet paragjykuese të njerëzve. Për vite me radhë nuk e ka dashur dhe nuk e ka pranuar veten siç është,”- tregoi Viola ndër të tjera, duke shtuar se tashmë e ka pranuar veten siç është.