Qeveria ka vendosur të rrisë sërish pagat për administratën publike me synimin që brenda dy viteve, paga mesatare në administratë të arrijë në nivelin e 900 Eurove.
Ky vendim që është pjesë e një plani ambicioz për pagat, u bë publik nga vetë Kryeministri Edi Rama pas mbledhjes së qeverisë.
Edi Rama: “Kemi në dorë një plan ambicioz për rritje pagash në harkun kohor 2023-2024. Ky program synon të realizojë një target të një page mesatare prej 900 eurosh. Jemi në kushtet e një mundësie të re, një mundësi që do ta shfrytëzojmë maksimalisht në të mirë të njerëzve, familjeve. Pas rritjes së pagës minimale, tani mund të shkojmë drejt rritjes së pagës mesatare. Në dy faza, do të kemi një rritje tani, së shpejti për një pjesë, e të shkallëzuar, detajet do t’i diskutojmë pas aktit të miratimit që do të vijë në 10-15 ditët e ardhshme. Do të publikojmë edhe planin e plotë që të gjithë ta dinë se çfarë do të pasojë. Do t’i qëndrojmë premtimit për rritjen e pagës së mjekëve me 7% këtë vit. Pastaj do të kemi një rritje të konsiderueshme në vitin e ardhshëm”, deklaroi Rama ndër të tjera.