Reperi Rigels Rajku, i njohur me emrin e artit si Noizy, ka mbajtur mbrëmjen e djeshme një koncert madhështor në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë të quajtur “Alpha Show”, ku performuan një numër i madh artistësh të njohur shqiptar.
Pamjet spektakolare të këtij koncerti duket se nuk i kanë shpëtuar as kryeministrit Edi Rama. Ai ka postuar në rrjetet sociale një video nga momenti kur në skenë ngjitet vetë organizatori i këtij koncerti, Noizy, teksa të gjithë fansat shihen me dritat e telefonave në dorë.
“TIRANA LIVE” shkruan kreu i qeverisë krahas videos duke e shoqëruar dhe me një emoji fytyre me zemra.
Megjithatë, një ndër momentet më të veçanta ishte hyrja që bëri vetë reperi, që ishte organizator i këtij koncerti madhështor. Noizy bëri një intro spektakolare me zërat e prezantuesve më të njohur që thërrisnin emrin e tij. Kurora gjigante që simbolizonte mbretin, e cila ishte vendosur në mes të skenës ngrihet në ajër gjatë momentit që reperi ngjitet në skenë. “OTR me zemër” ishte kënga me të cilën hapi performancën.
Ndonëse e vjetër, është një ndër këngët ikonë të reperi që dëgjohet sot e kësaj dite. Sakaq, një tjetër moment i veçantë ishte dhe përqafimi mes tij dhe Stresit. Teksa ky i fundit i ngjit në skenë për të interpretuar, ashtu siç kishte premtuar, ai i dha një përqafim të ngrohtë ish rivalit të tij.
Stresi zbuloi se zënka e parë midis tyre ishte zhvilluar pikërisht në sheshin ku dhe u mbajt koncerti. “13 vite më parë po tek ky shesh këtu jemi zënë për herë të parë dhe po tek ky shesh sot këtu jemi më të fortë se kurrë”, u shpreh reperi, deklarata e të cilit u prit me brohorima nga fansat e tyre të flaktë.