Më në fund gratë shqiptare po marrin vendin që u takon dhe meritën në një fushë shumë tipike dhe karakteristike tonën. Ato janë cilësuar si më nikoqiret në Europë, pasi sipas një sondazhi, harxhojnë më shumë kohë se çdo femër tjetër në kontinent, duke u marrë me punët e shtëpisë.
Sipas një sondazhi të Komisionit Europian për cilësinë e jetës në vendet e Bashkimit Europian dhe ato kandidate, rezulton se pyetjes “Mesatarisht sa orë në javë shpenzoni për të gatuar dhe për të bërë punë shtëpie jashtë punës së paguar?”, të anketuarit shqiptarë i janë përgjigjur 25 orë, që është më e larta në Europë, për shkak të orëve të gjata të delaruara nga gratë.
Pas shqiptarëve, më shumë kohë për punë shtëpie shpenzojnë rumunët (21 orë) dhe turqit (19 orë), ndërsa më pak danezët (9 orë), finlandezët (11) dhe suedezët (11).
Ato që kryesojnë janë natyrisht femrat shqiptare, që shpenzojnë 29 orë në javë për t’u marrë me punë shtëpie e gati, të ndjekura nga rumunet me 23 orë dhe maltezet me 22 orë, shkruan Monitor. Femrat e rajoni shpenzojnë shumë më pak kohë se tek ne (maqedonaset 18 orë, malazezet dhe serbet 19 orë).
Nëse i referohemi burrave shqiptarë, ata nuk kanë kohë për të humbur duke u marrë me gatim e punë shtëpie. Meshkujt shqiptarë kanë raportuar se shpenzojnë rreth 12 orë në javë, që është e krahasueshme me mesataren e Europës dhe me vendet e tjera të rajonit dhe shumë më e ultë se koha që shpenzojnë partneret e tyre. Ndërsa më punëtorët janë burrat rumunë, që shpenzojnë 20 orë në javë, vetëm 2 orë më pak se femrat rumune.
Në Shqipëri, grupmoshat nga 18-24 vjeç shpenzojnë 15 orë për të gatuar e punë shtëpie; 25-34 vjeç harxhojnë 25 orë; 35-49 vjeç shpenzojnë 29 orë; 50-65 vjeç 27 orë dhe mbi këtë moshë 22 orë. Për të gjitha grupmoshat, me përjashtim të asaj mbi 65 vjeç, ku kryesojnë rumunët, numri i orëve është më i larti në Europë.
Vetëm në familjet shqiptare me të ardhura të larta, numri i orëve të raportuara në javë për të gatuar e punë shtëpie ulet në 19, ndërsa te familjet e varfra gratë shpenzojnë nga 22-29 orë në javë.