Zupa shtëpie, një ëmbëlsirë krejt e lehtë, e kombinuar në mënyrë fantastike me biskota për të kënaqur shijen në çdo kohë të ditës.
E shoqëruar me kafe, çaj apo duke e shijuar edhe vetëm, kjo ëmbëlsirë është ndër më tradicionalet, e përgatitur shpesh nga amvisat në shtëpi dhe një nga më të preferuarat në pastiçeritë shqiptare.
Fantastike në servirjen e saj si gosti në mikpritjen e miqve ashtu si edhe në servirjen e saj në fund të drekave e darkave familjare.
Një shije krejt tjetër, kremoze falë qumështit si përbërës kryesor të saj dhe e pasuruar me disa nga përbërësit më të shijshëm të kuzhinës, biskotat e thërrmuara por edhe arrat si gjithashtu.
AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë recetën fantastike të përgatitjes së zupave.
Kjo është një ëmbëlsirë që përgatitjen krejt lehtë dhe shpejt për të ëmbëlsuar familjen dhe më të dashurit gjithashtu.
Përgatitja e Zupave në Shtëpi
Përbërësit
1.5 litra qumësht
2 të verdha veze
9-10 lugë sheqer
7 lugë niseshte
1 lugë kafeje vanilje
1 pako biskota të thjeshta të thërrmuara
Një grusht arra të thërrmuara
Kanellë
Përgatitja
Si fillim, në fundin e tasave të zupave hedhim një shtresë me biskota të thërmuara.
Hedhim qumështin në tenxhere dhe e vendosim në zjarr të ngadaltë, shtojmë dy të vërdheat e rrahura të vezëvem sheqerin dhe niseshten.
Gjithë masën e përzjejmë pa ndërprerje derisa masa të trashet dhe të bëhet kremoze.
Kur masa bëhet kremoze shtojmë vaniljen dhe vijojmë të përzjejmë për pak sekonda.
E heqim tenxheren nga zjarri dhe nisim mbushjen e kupave.
I mbushim të gjitha me krem deri në gjysmë e më pas hedhim një shtresë me biskota të thërmuara.
Më pas hedhim pjesën tjetër të kremit duke mbushur gjysmën e kupave. Në fund shtojmë sërish një shtresë me biskota të thërmuara por edhe arra nëse preferoni.
Zupat, pasi janë ftohur futen në frigorifer dhe konsumohen të ftohta.