Revista The Economist shkruan se në të gjithë Ballkanin, popullsitë po zvogëlohen dhe plaken, dhe nëse situata nuk ndryshon edhe më shumë njerëz do të largohen. Në afat të shkurtër qeveritë nuk e kanë problem emigrimin sepse ul papunësinë dhe rrit dërgesat nga jashtë. Por, në planin afatgjatë është “katastr ofike”
“Po plaken, po vdesin, po largohen”. Kështu titullohet një artikull i fundit i revistës së njohur The Economist, ku trajtohet fenomeni i tkurrjes së popullsisë së vendeve të Ballkanit.
LEXO EDHE:
E hënë me diell në bregdet dhe shira lokalë në verilindje
“Problemet e shumta të rajonit i shtyjnë njerëzit e rinj, të talentuar të largohen. Por ato nuk do të arrijnë të kapin pjesën tjetër të Evropës pa njerëz të rinj, të talentuar, që do të gjeneronin prosperitet. Në të gjithë Ballkanin, popullsitë po zvogëlohen dhe plaken, dhe nëse situata nuk ndryshon edhe më shumë do të largohen”, shkruhet në artikull.
Në grafikun e paraqitur nga The Economist, për Shqipërinë parashikohet që popullsia do të reduktohet me 26% deri në vitin 2050, në krahasim me vitin 1989. Kjo është tkurrja më e madhe në Ballkan, me përjashtim të Bosnjës (-37%)-. Sipas grafikut, reduktimin më të ulët do e ketë Mali i Zi, me 3% dhe Kosova, me 11% (shig grafikun në fund).
Ndonëse është e vështirë të masësh emigracionin, The Economist thotë se të dhënat që janë në dispozicion japin një pamje të qartë. Popullsia e çdo vendi ballkanik po zvogëlohet për shkak të emigrimit dhe lindshmërisë së ulët. Në të kaluarën, popullsia u rrit përsëri pas valëve të emigrimit, pasi shumë gra kishin gjashtë fëmijë. Tani pak kanë më shumë se një. Serbia mund të ketë më shumë pensionistë sesa njerëz në moshë pune deri vitin e ardhshëm.
Në afat të shkurtër qeveritë nuk e kanë problem emigrimin sepse ul papunësinë dhe rrit dërgesat nga jashtë. Por, në planin afatgjatë, thotë Vladimir Nikitovic, demograf serb, është “katastrofike”. Rreth 50,000 njerëz largohen nga Serbia çdo vit. Nga ata që kthehen, rreth 10,000 janë pensionistë që kanë kaluar jetën e tyre të punës në Perëndim. Fëmijët e tyre nuk do t’i ndjekin nga pas.
Rajoni ka disa nga nivelet më të ulëta të lindshmërisë në botë. Gratë boshnjake kanë mesatarisht 1.3 fëmijë dhe kroatë 1.4, Shqipëria e ka këtë tregues 1.37. Kosova, me një moshë mesatare 29 vjeç, ka popullsinë më të re të rajonit, por shkalla e pjellorisë së saj prej 2.0 (vetëm nën shkallën e zëvendësimit) ka rënë gjithashtu për vite me radhë. Diku tjetër, normat janë të ngjashme me ato të vendeve të Evropës Perëndimore. Por për shkak se Ballkani pothuajse nuk pret emigrantë taksapagues, paratë për pensionistët janë të pakta.
Shkaqet dhe pasojat
Efektet e tkurrjes së popullsisë janë të ashpra. Kombinimi i emigrimit të shpejtë, pjellorisë së ulët dhe imigracionit të lartë prodhon rezultatin më të keq të imagjinueshëm, thotë Kresimir Ivanda, demograf kroat. Greqia, Italia dhe Spanja kanë shkallë të ulët të lindjeve, por tërheqin shumë emigrantë. Në Poloni, më shumë se 1 milion ukrainas kanë mbushur boshllëqet në tregun e punës të lënë nga emigracioni.
Sigurisht, për qytetarët e vendeve të Ballkanit, marrja e pagave më të larta jashtë vendit është një përfitim. Remus Gabriel Anghel, një demograf në Rumani, thotë se përvojat e migrimit të 15 viteve të kaluara kanë qenë gjithashtu një lëvizje e ndryshimeve shoqërore. Më parë, njerëzit thjesht donin të plotësonin nevojat e tyre; tani ata që kanë jetuar në Evropën perëndimore kërkojnë shkolla, spitale dhe shërbime më të mira. Kjo, thotë zoti Anghel, është diçka që qeveria “nuk e kupton vërtet”, shkruan The Economist.
Projeksioni i frikshëm
Shqipëria është nga të paktat vende në Europë që do përjetojë një tranzicion të trishtë të popullsisë. Shekulli në të cilin jetojmë do të mbyllet me rezultate fatale të popullsisë së vendit, sipas projeksioneve të reja të Departamentit të Popullsisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, të publikuara në faqen zyrtare të këtij institucioni ndërkombëtar. Duke marrë në konsideratë ecurinë e popullsisë vetëm në normat bruto të lindjeve (norma e fertilitetit) sipas të gjithë skenarëve, Shqipëria do të ketë ulje të popullsisë së saj.
Varianti pesimist parashikon që vitin në 2100, popullsia e Shqipërisë do të jetë vetëm 860 mijë banorë. Ndërsa skenari normal parashikon që Shqipëria të popullohet me vetëm 1 milionë e 600 mijë banorë. Skenari optimist që parashikon emigracion zero dhe ecuri normale të normave të fertilitetit parashikon që popullsia e vendit deri në vitin 2100 të jetë 2 milionë e 800 mijë banorë, nga rreth 2,9 milionë që numërohen afërsisht aktualisht.
Në Shqipëri, sipas një studimi më të fundit, është vërejtur një plakje me ritme të shpejta e popullsisë.
Studimi thekson se rritja e numrit të të moshuarve po ndodh njëkohësisht me emigrimin e familjeve të reja dhe normat e ulëta të lindshmërisë së popullatës në vend.
Shqipëria është vendi me plakjen më të shpejtë të popullsisë në rajon dhe një ndër vendet me plakjen më të shpejtë në Europë.
Raporti i përgatitur nga Shoqata “Together for Life” me mbështetjen e Ëestminster Foundation for Democracy ka në qendër të vëzhgimit normat e ulëta të lindshmërisë dhe tkurrjen e popullsisë së Shqipërisë.
Sipas statistikave zyrtare, mosha mesatare sivjet është 37.2 vjeç, por pas 10 vjetësh parashikohet të rritet në 42.1 vjeç.
Studimi parashikon që nëse institucionet shtetërore nuk reagojnë me politika nxitëse, deri në vitin 2050 mosha mesatare e popullatës në Shqipëri mund të shkojë deri në 50 vjeç, me një rritje popullsie – 0.88 %.
“Emigrimi masiv, sidomos i grupmoshës së re, dhe mospasja e politikave stimuluese, bën që shpejtësia e plakjes së popullsisë të jetë e konsiderueshme” – thotë Denisa Canameti, bashkautore e studimit.
Në Shqipëri po ndodh ndërkohë edhe një rënie e vazhdueshme e numrit të lindjeve: në vitin 2017 u kryen afro 31 mijë lindje, në vitin 2018 ishin afro 29 mijë lindje – dy mijë lindje më pak – dhe në vitin 2019 ishin afro 28 mijë e 500 lindje – 500 lindje më pak. Në vitin 1990 u kryen mbi 82 mijë lindje, por në vitin 2019 ishin mbi 28 mijë e 500 lindje – pra ndodhën vetëm afro 1/3 e lindjeve që ishin 3 dekada më parë, ose një rënie e lindjeve me 2/3 në 30 vjet.
Numri mesatar i lindjeve nga nënat është 1.37, por ky indeks është nën normën 2.1 lindje për femër, në mënyrë që popullata të ripërtërihet.
Në vitet 60 kjo normë ishte mbi 6 dhe në vitet 90 ishte mbi 3, ndërsa sot është 1.37. Rënia e lindjeve është një pasojë shumë e rëndë sociale e skonomike për të ardhmen, pohojnë studiuesit.
Nga janari i vitit të kaluar qeveria jep për çdo lindje të re 400-1200 dollarë pagesë bonus.
Por pas 1 viti nga nisma e qeverisë për bonusin e bebeve, në statistikat zyrtare shihet një rënie tjetër e numrit të lindjeve edhe në vitin 2019.
Në tremujorin e tretë lindën 7403 bebe, pra një rënie prej 17.1 %, krahasuar me 2018.
Raporti citon ministrinë e shëndetësisë, sipas të cilës, nga mbi 37.180 të porsalindur që përfituan bonusin e bebes në 2019-n, mbi 10 mijë janë të lindur jashtë vendit.
Studiuesit propozojnë një ndërthurje mes politikave të ngadalësimit të emigracionit masiv të popullsisë së re në moshë, duke rritur cilësinë e sistemit arsimor dhe cilësinë e jetesës në vend, dhe ndihmës për çiftet e reja, mamatë shtatzana, kujdesin për rritjen e foshnjës para dhe pas lindjes.
Raporti propozon rishikimin dhe zbatimin e ligjit për shëndetin riprodhues sipas praktikave më të mira të Legjislacionit Europian, si dhe vënien në funksionim të Qendrës së Riprodhimit të Asistuar me metodat bashkëkohore diagnostikuese dhe trajtuese të infertilitetit, nëpërmjet Shërbimit Shëndetësor Publik, në Qendrën Terciare/Universitare.
Mosha e martesës në Shqipëri gjithashtu është rritur. Lindshmëria ka rënë për grupmoshat 20-24 vjeç dhe 25-29 vjeç. Në vitin 2018 mosha mesatare e nënave të reja në lindje ishte 28,6 vjeç, ndërsa në vitin 2014 ishte 27.7 vjeç.
Pra, edhe mosha mesatare e grave në lindje është rritur me gati një vit brenda një periudhe pesë-vjeçare.
Procesi i plakjes, pohojnë studiuesit, shoqërohet me rritjen e shpejtë të koeficientit të varësisë së të moshuarve nga rreth 20,5 të moshuar për 100 persona në moshë pune në vitin 2019, në rreth 35 të moshuar për çdo 100 persona në moshë pune në vazhdim.
Plakja e popullsisë po sjell pasoja në ekonomi, sepse duhet rritur kapaciteti i kujdesit shoqëror dhe shëndetësor për më shumë persona; shpenzimet për pensionet rriten, por ulet numri i kontribuesve në skemën e sigurimeve shpqërore.
Sipas regjistrimit Census të vitit 2011, Shqipëria kishte 2.8 milionë banorë, kur në vitin 1990 kishte 3.3 milionë banorë.
Edhe të huajt me leje po ikin nga Shqipëria, vijnë irakianët dhe sirianët (pa leje)
Në fund të vitit 2019, numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri rezultoi 13.507 banorë, duke pësuar rënie me 4,6 %, krahasuar me 2018, raportoi INSTAT.
Numri i të huajve rezidentë në 2019 dominohet nga meshkujt me 63,0 % kundrejt femrave me 37,0 %.
Numri i aplikimeve për leje qëndrimi në Shqipëri, në vitin 2019 ishte 8.241 aplikime, duke shënuar një rënie me 9,3 %, krahasuar me vitin 2018.
Të huajt rezidentë me origjinë nga Italia janë 2.753, nga Turqia janë 1.730 dhe nga Kosova 1.703 këto përbëjnë numrin më madh të të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri në 2019.
Të huajt me origjinë nga Evropa, në vitin 2019 rezultojnë 8.971 banorë dhe përbëjnë 66,4 % të të huajve gjithsej kundrejt 58,0 % që përbënin në 2018.
Arsyeja për punësim është arsyeja kryesore e lejeve të qëndrimit të të huajve në Shqipëri në 2019, me 55,0 %.
Në vitin 2019 janë evidentuar 11.890 të huaj të parregullt në territorin e vendit ku pjesën më të madhe të tyre prej 57,4 % e zënë të huajt me origjinë nga Iraku dhe Siria.
Të huajt në Shqipëri
Gjatë 2019 numri i të huajve rezident përbëhet nga 8.506 meshkuj dhe 5.001 femra. Meshkujt zënë 63,0 % në numrin e të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri.
Numri i aplikimeve për leje qëndrimi në Shqipëri, në vitin 2019 është 8.241 aplikime, duke shënuar një rënie me 9,3 % krahasuar me vitin 2018. Aplikimet sipas vendit të origjinës nga Italia dhe Kosova përbëjnë 37,3 % të aplikimeve gjithsej, në 2019.
Të huajt në Shqipëri sipas kontinenteve
Të huajt me leje qëndrimi në Shqipëri, sipas vendit të origjinës, në 2019 kryesohen nga vendet e Evropës, duke zënë 66,4 % të të huajve rezident gjithsej. Të huajt me origjinë nga Evropa janë 8.971, duke shënuar një rritje me 9,2 %, krahasuar me 2018. Të huajt me origjinë nga Azia janë 2.509, duke shënuar një rënie me 37,6 %, krahasuar me 2018. Të huajt me origjinë nga Amerika, Afrika dhe Oqeania janë 2.027, duke pësuar një rritje me 5,1 %, krahasuar me 2018.
Të huajt në Shqipëri sipas vendit të origjinës
Në 2019 të huajt rezident në Shqipëri me origjinë nga Italia janë 2.753 banorë, duke shënuar një rritje me 7,0 %, krahasuar me 2018. Të huajt me origjinë nga Turqia janë 1.730 banorë, duke shënuar një rritje me 5,3 %, krahasuar me 2018. Të huajt me origjinë nga Kosova janë 1.703 banorë, duke shënuar një rritje me 20,1 %, krahasuar me 2018.
Të huajt në Shqipëri sipas arsyes
Në vitin 2019 të huajt rezident për arsye punësimi zënë 55,0 % të të huajve gjithsej, ndjekur nga arsyet për bashkim familjar me 27,4 %, arsyet për qëllime humanitare me 6,1 %, arsyet për studime me 5,5 % dhe arsyet të tjera me 6,0 %.
Te të huajt rezident në Shqipëri me origjinë nga Italia, përveç arsyes për punësim (61,9 %) vihet re edhe një dominim i arsyes për studim (20,5 %).
Të huajt me origjinë nga Turqia, kryesohen nga arsyet për punësim (64,2 %) dhe arsyet për bashkim familjar (33,0 %).
Të huajt me origjinë nga Kosova, kryesohen nga arsyet për bashkim familjar (45,4 %).
Të huajt me origjinë nga SHBA dhe Kina kryesisht dominohen nga arsyet për punësim (respektivisht me 70,7 % dhe 82,9 %).
Të huajt me origjinë nga Irani kryesisht dominohen nga arsye humanitare për të marrë leje qëndrimi në Shqipëri (95,7 %).