Kryediplomatja Donika Gërvalla ka reaguar pas raportimeve se vajza e saj 16-vjeçare, ka marrë certifikatë për kryerje të praktikës në kabinetin e MPJD-së për nevoja të shkollimit të saj në Gjermani, pa e kryer fare.
Gërvalla ka bërë një postim të shkurtë për këto raportime, duke thënë se do të vazhdojnë me punën, raporton Express.
“Paska nisur sot edicioni i ri i serialit “Qepimi”. Filmi i njejtë, vetëm skena ndryshon. Ne vazhdojmë punën”, ka shkruar Gërvalla.
Ndryshe, portali “Demokracia.com” ka raportuar sot se Nora Schwarz, vajza 16-vjeçare e ministres Gërvalla-Schwarz, ka marrë certifikatë për kryerje të praktikës në kabinetin e MPJD-së për nevoja të shkollimit të saj në Gjermani, pa e kryer fare.
Në njërin nga dokumentet e publikuar nga Demokracia.com tregohet sesi kabineti i ministres Donika Gërvalla – Schwarz shpreh gatishmëri që nxënësen Nora Schwarz nga Gjimnazi në Oelberg, Konigswinter-Oberpleis, ta angazhojë si praktikante në kabinetin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës.
“Ne jemi gati të presim nxënësen midis 10 janarit dhe 28 janarit 2022, Nora Schwarz, të gjimnazit (Gymnasium) am Oelberg, Königswinter-Oberpleis për një praktikë studentore në institucionin/shtëpinë tonë. Ne u informuam për kuptimin dhe qëllimin e praktikave të studentëve dhe gjendjen e tyre të sigurimit (sigurimi i aksidenteve dhe përgjegjësisë) si dhe u informuam se nuk do të paguhet asnjë shpërblim financiar as për shkollën dhe as për studentët. (Ju lutemi kthejeni këtë deklaratë sa më shpejt të jetë e mundur në Gymnasium am Oelberg, Weilerweg 25, 53639 Königswinter – Oberpleis ose dërgojeni me faks në 02244/934101)”, thuhet në dokumentin që mban vulën e MPJD-së dhe nënshkrimin e asistentes së Gërvallës, Besiana Havollit.