Kjo është një recetë fantastike, ideale për t’u përgatitur e shijuar në këto ditë të ftohta dimri. Përgatitet lehtë dhe thjeshtë dhe padyshim të kënaq nepsin dhe oreksin me shijen e saj të përsosur.
Kombinohet në mënyrë të shkëlqyer me sallata të stinës, perime të pjekura, patate furre por edhe turshi të ndryshme. Gjithashtu kjo supë fantastike kombinohet edhe me bukë të thekur apo edhe me byrekë të ngrohtë shtëpie.
Më poshtë ju sjell hapat e thjeshtë të përgatitjes së supës me qofte të vogla vetë në shtëpi.
Përgatitja e supës me qofte
Përbërësit
300-400 gr mish i grirë
2 feta të holla buke
1 kokërr vezë
1-2 kokrra qepë
4 thelpinj hudhrash
Nenexhik
Majdanoz
Kripë
Dy lugë gjelle miell gruri
Dy lugë gjelle salcë domateje
2 lugë gjelle uthull molle
2-3 gota me lëng mishi ose ujë
Përgatitja
Në fillim ju udhëzojmë të përgatisni qoftet si zakonisht. Bashkoni të gjithë përbërësit në një enë. Fetat e bukës lagini me pak ujë që të zbuten para se t’i hidhni tek përbërësit.
Përziejini të gjitha bashkë derisa të krijohet një masë homogjene. Më pas masën e krijuar ndajeni në toptha të vegjël.
Kalojini në miell, skuqini dhe lërini mënjanë. Ndërkohë në tiganin ( i cili duhet të jetë i madh) ku kemi skuqur qoftet hedhim salcën e domates, e kaurdisim pak dhe pastaj shtojmë miellin e kaurdisim për pak dhe shtojmë lëngun e mishit ose ujin, kripën dhe uthullën. Vijojmë ta përziejmë në mënyrë që mos krijohen kokrriza, shtojmë aty edhe qoftet edhe i lëmë në zjarr për 10 minuta sa të marrë një valë, më pas hiqeni nga zjarri dhe supa është gati për t’u shërbyer.