Një lajm i mirë vjen nga Athina, ku ambasada shqiptare në Athinë njofton se nga data 1 nëntor, emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi do të zgjedhin vet ditën dhe orën për t’u paraqitur në ambasadë dhe konsullatat tona në vend për të marrë shërbimet.
Lajmi bëhet publik nga konsullja Joana Zhonga, e cila sqaron se përfaqësia jonë diplomatike është ndoshta e vetmja përfaqësi e një shteti në botë, që punon me dy dhe tre turne duke i shërbyer deri në 800-1000 emigrantëve në ditë.
Sipas konsulles Zhonga, që prej majit të këtij viti, shërbimet konsullore jepen me orar të zgjatur, pikërisht për shkak të fluksit të lartë të emigrantëve, të akumuluar gjatë afro 2 muajve të mbylljes se shërbimeve konsullore për shkak të pandemisë Covid 19.
Zhonga sqaron se ministria e jashtme ka shtuar staf në ambasadë dhe konsullatat tona, ndërsa për herë të parë që prej nëntorit do të aplikohet një shërbim pilot, për tju ardhur në ndihmë emigrantëve që banojnë në ishujt e shumtë të vendit.