Në pesë vitet e fundit, familja e Elsës ka pësuar tre humbje të mëdha sepse vëllezërit e saj kanë ndërruar jetë. Kjo është arsyeja pse ajo ka thirrur nënën e saj, Bajamen në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E diela shqiptare” në Tv Klan.
Elsa mendon se nuk ka patur asnjë arsye të lumtur për të ardhur nga Greqia në Shqipëri sepse çdo herë ka qenë një fatkeqësi. Por tre vite pa e parë nënën si edhe ngjarjet e forta i kanë shkaktuar dëshirën e fortë për t’i dhuruar asaj sadopak buzëqeshje.
Elsa: Mami, kam 3 vjet pa të parë dhe sa herë që mblidheshim si familje, mblidheshim vetëm për hidhërime, ti e di këtë.
Bajame: E di.
Elsa: Hidhërimi i parë ishte i babit, pastaj i Timit tonë të shtrenjtë, pastaj i Benit, me Ardin nuk erdha dot, s’pata mundësi. U mundova të të dërgoj një mesazh që të të gëzoj dhe të ëmbëlsoj pak zemrën tënde.
Bajame: Të më heqësh stresin.
Elsa: Bravo. Dhe më mungon se kam 3 vjet pa të parë. Mund të flasim për ditë, po ai kontakti…
Bajame: Ajo i ndez zemrën e nënës më shumë. Sa e fik, unë lotoj.
Elsa: E di. Tani mbeti vetëm Leksi, e shikojmë të gjithë vëllanë e vogël në dritë të syrit.
Bajame: Unë bëhem më e fortë kur ju më jepni kurajë. Kemi ardhur të lumturohemi, janë vetëm lotë gëzimi.
Elsa: Jeta vazhdon, po mundohem të mos qaj se do më thoni qaj vetëm për halle, por lotët janë dhe emocione, njeriu qan edhe për gëzim. Jam lodhur nga të qarët dhe dua të mbaj veten.
Ardit Gjebrea: Të buzëqeshësh.
Elsa: Më duket se më shkon më shumë e buzëqeshura se sa lotët.