Aktorja e madhe e skenës shqiptare, Tinka Kurti feston sot ditëlindjen e 90-të. Në këtë ditë të veçantë, ajo ka marrë mesazhe të shumta nga kolegët, politika dhe personat me të cilët ndau skenën që në moshën 16 vjeçare.
Regjisori Kiço Londo ka shkruar një mesazh të ndjerë për 90 vjetorin e Tinka Kurtit. Ai e quan “Zonjë të madhe të Teatrit dhe Filmit”, që talentin e saj unik dhe hyjnor e shpërndau bujarisht.
“Përqafimi ynë i bukur, i ëmbël, i ngrohtë, bujar… Zonja e madhe e Teatrit dhe Filmit, Tinka Kurti, sot ti mbërrite te 90… Gëzimi jonë, ti je dhurata që na mbush sytë me dritën që të buron ngado…
Ti e shpërndave talentin tënd unik dhe hyjnor bujarisht. Është nder që pata fatin të krijoj me ty. Unë të dua…”, shkruhet në mesazhin e Londos, siguruar nga newsbomb.al.shih video
Gjatë karrierës së saj aktorja Tinka Kurti ka interpretuar rreth 260 role në skenën e teatrit dhe 95 role në kinematografi. Në 1994 ajo hyri në Enciklopedinë e Institutit Biografik Amerikan si një nga 5,000 gratë më të shquara në botë dhe madje më 17 Dhjetor 2007 ajo u ftua në Uashington (SHBA) për të vendosur një pllakë mermeri me emrin e saj në këtë Institut.
Tinka për karrierën e saj artistike është vlerësuar me Çmime dhe Tituj të tjerë si Artiste e Merituar & Artiste e Popullit 1961, me urdhrin “Grand Master” i akorduar nga Presidenti i Republikës për veprimtarinë e saj artistike.