Ditën e sotme Ministria e Shëndetësisë raportoi 11 jetë të humbura nga COVID-19, nga të cilët mësohet se 3 ishin mësues.
Një prej viktimave është Fatmir Sula, 62 vjeç, i cili jepte mësim në shkollën 9-vjeçare “Bishqem”. Lajmi bëhet i ditur nga shkolla nëpërmjet një postimi në Facebook ku ata shprehin hidhërimin e madh për ndarjen nga jeta të mësuesit.
“Drita e shpirtit të tij u largua fizikisht, po kurrë nuk do të largohet nga brezat e nxënësve që ka lënë pas”. Sula, po kurohej prej më shumë se 10 ditësh në spitalin COVID 2”, shkruhet në postimin e shkollës.
Gjithashtu në mesditën e sotme ka humbur jetën një mësuese 62-vjeçare nga Elbasani. Ajo po kurohej prej 2 javësh në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Sipas autoriteteve, të dy viktimat vuanin edhe nga sëmundje të tjera.
Kujtojmë se edhe në orët e vona të ditës së djeshme u nda nga jeta edhe mësuesi Gramoz Abedinaj, 60-vjeç, nga qyteti i Fierit.
Numri i të prekurve nga pandemia në vendin tonë ka kapur shifrën e 25,801 rasteve pozitive, nga të cilët fatkeqësisht kanë humbur jetën 590 persona.