Çudirat alla shqiptare nuk kanë të mbaruar. Rasti më i fundit është ai në rrugën dytësore Plepa – Golem. Një shtyllë tensioni qëndron në mes të gjerësisë së rrugës, që prej disa muajsh i është nënshtruar rehabilitimit.
Pavarësisht se në këtë aks vazhdojnë punimet për rikonstruksionin e tij, madje kompania ka hedhur dhe një shtresë asfalti, shtylla e tensionit të lartë ende nuk është zhvendosur nga aty.
Në pamjet filmike që po sjell “DurrësLajm”, duket që rruga gjarpëron në afërsi të shtyllës së tensionit, që ende nuk është zhvendosur nga KESH.
Pavarësisht se aksi është në rikonstruksion e sipër, ai përshkohet nga automjetet, që për të evituar trafikun e rënduar të aksit Plepa – Golem, shfrytëzojnë rrugët dytësore në ndërtim e sipër.
Deri në zhvendosjen e shtyllës, ajo rrezikon të kthehet në burim aksidenti për shoferët. Spostimi i saj në përfundim të punimeve për rikonstruksionin e rrugës, mund të shoqërohet me dëmtime të mëtejshme të këtij aksi.
Jo më kot jemi mësuar, që sapo përfundon së rikonstruktuari një rrugë, ajo nis të “shkepet” sërish. Ndërkohë, rikonstruksioni i rrugës kryesore që përshkon zonën e Golemit, i cili ende nuk ka përfunduar, krijon vështirësi të vazhdueshme dhe bllokime trafiku, tashmë kur arrihet edhe piku i pushuesve dhe turistëve të huaj që frekuentojnë vijën bregdetare. /Burimi: Durreslajm